Alma Lama, ish-amabasadore e Kosovës në Itali thotë që ish-kryediplomati Behgjet Pacolli, dërgoi në Shqipëri gaz lotsjellës në vend të 1 milion eurove të premtuara për tërmetin e 26 nëntorit të vitit të kaluar.
Për këtë deklaratë ka reaguar vetë Pacolli, madje ai ka paralajmëruar Lamën se do të shihen në gjykatë.
“Lexova sot deklaratën e një gënjeshtareje që paska shpifur se gjoja unë qenkam i përfshirë në dërgimin e gazit lotsjellës në Shqipëri!!!. Personi në fjalë ka shpifur qëllimshëm në llogari timen dhe për këtë akt, gënjeshtra e saj do të verifikohet në Gjykatë. Ju përshëndes”, ka shkruar Pacolli, si përgjigje për statusin e mbrëmshëm të Alma Lamës.
Reagimi i Lamës vije pas premtimit të Pacollit, kur më 28 nëntor të vitit të kaluar tha se së bashku me familjen do dërgojnë 1 milion euro në ndihmë të viktimave të prekura nga termeti në Shqipëri.
Kjo nuk është hera e parë që Lama ka mospajtime me Pacollin. Ajo ka akuzuar atë për disa veprime të bëra gjatë kohës së luftës në Kosovë, kur Pacolli kishte paralajmëruar dorëzimin e 10 mijë faqeve material me prova për krimet e luftës që kreu Serbia.
Kujtojmë se Lama ishte shkarkuar nga pozita e ambasadores në Itali në kohën kur Pacolli mbante pozitën e ministrit të Punëve të Jashtme./Gazeta Sinjali/