Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se është përmbyllur afati për partitë politike të cilat kërkojnë certifikim për pjesëmarrje përmes koalicionit në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 14 shkurt 2021, shkruan Gazeta Sinjali.
Gjatë afatit të vendosur nga 8 janari deri sot më 12 janar, në KQZ janë deklaruar vetëm këto parti që kërkojnë certifikim përmes koalicionit.
Koalicioni VAKAT, i përbërë nga partitë politike Demokratska Stranka Bošnjaka (DSB) dhe Demokratska Stranka Vatan (DSV) dhe koalicioni ZAJENO, i përbërë nga partitë politike Pokret za Gora (PG) dhe Graðanska Inicijativa Gore (GIG).
“Ju njoftojmë se kjo është vetëm periudha për deklarim të pjesëmarrjes përmes koalicionit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se të gjitha subjektet politike (partitë politike, koalicionet, kandidatët e pavarur dhe iniciativat qytetare) të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës më 14 shkurt se afati i aplikimit për certifikim për subjektet politike, të cilat duhet të dorëzojnë edhe listat e kandidatëve për deputetë, përmbyllet më 16 janar, në orën 18:00”, njofton tutje KQZ-ja.