Sot në rrugën “Hyrije Hana”, te tregu në Prishtinë, ka ndodhur një përleshje mes dy personave, me ç’rast njëri është therur me thikë, raporton Gazeta Sinjali.
Siç mëson Sinjali, i dyshuari A.H, ka therur me thikë të dyshuarin tjetër A.R, i cili më pas është dërguar në Emergjencë të QKUK-së për trajtim.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se gjithçka nisi ku A.R., sulmon me shqelma dhe grushte të dyshuarin tjetër A.H. Ky i fundit, në shenjë hakmarrjeje, e merr një thikë nga lokali ku punon dhe e ther të dyshuarin A.R.
Të njëjtat burime njoftuan se Policia është vënë në lëvizje dhe ka arritur të marrë deklaratat e dy të dyshuarve lidhur me rastin. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit A.H është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.
Ndaj tij është iniciuar rasti “lëndim i rëndë trupor”, kurse i dyshuari tjetër A.R., do të hetohet për “sulm”.