Një përleshje mes disa nxënësve ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Mitrovicë.
Rasti ka ndodhur brenda hapsirave të shkollës fillore “Musa Hoti”.
Drejtori i kësaj shkolle, Skender Avdiu ka thënë për Gazetën Sinjali se ngjarja ka ndodhur rreth orës 7 të mëngjesit dhe se nxënësit që janë përleshur kanë qenë të një shkolle tjetër.
“Ngjarja ka ndodhur rreth orës 7 e 10 minuta në mëngjes, nxënësit kanë qenë duke hy në shkollë, dhe nxënësit tjerë kane qenë duke shkuar rrugës për në gjimnaz. Njëri prej tyre ka shtënë me armë në ajër. Policia ka qenë shumë afër, jashtë oborrit të shkollës dhe kanë ndërhy menjëherë”, ka deklaruar Avdiu për Gazetën Sinjali.
Gazeta Sinjali ka marr vesh nga burimet në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës se në përleshjen e sotme mes dy grupeve të nxënesve të mitur është përdorur arma e zjarrit.
I pyetur rreth informacioneve që posedon Gazeta Sinjali, zëdhënësi i policisë për Rajonin e Mitrovicës e ka konfirmuar përdorimin e armës.
“Ende detaje të plota të kësaj ngjarje nuk i kam, por që është zgjeruar numri i të dyshuarve për përfshirje në këtë rast. Janë intervistuar edhe disa persona të tjerë, përveç atyre katërve të arrestuarve më herët. Po ashtu në vendin e ngjarjes është gjetur një gëzhojë, që dyshohet se është përdorur nga arma e zjarrit, ndërsa ende nuk edhe gjetur arma.”, ka thënë zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti./Gazeta Sinjali/