image Përhapja e koronavirusit, mjekët drejtojnë gishtin nga ndeshjet e Champions Leagues

Futboll

Futboll/ Përhapja e koronavirusit, mjekët drejtojnë gishtin nga ndeshjet e Champions Leagues

news image

Vazhdojnë të shtohen rastet e mjekëve që besojnë se ndeshjet e UEFA Champions League në muajin mars ishin si “bomba shpërthyese” për përhapjen e koronavirusit në kontinent. Pas mjekëve spanjollë që akuzuan UEFA-n se nuk veproi në kohë dhe lejoi sfidat me tifozë në raundin e 1/8-ave të këtij kompeticioni, duke iu referuar më konkretisht përballjes mes Atalantës dhe Valencias në “San Siro” të Milanos, janë dhe mjekët gjermanë dhe ata anglezë që i qëndrojnë të njëjtës hipotezë.

Matthew Ashton, Drejtor i Shëndetit Publik për qytetin e Liverpoolit ka theksuar se sfida e kthimit e 11 marsit mes “The reds” dhe Atletikos së Madridit, që u luajt në “Anfield Road” me praninë e të dyja tifozërive, ka ndikuar në përhapjen e të sëmurëve në Britaninë e Madhe.

Gjithashtu dhe mjeku francez Marcel Garrigou Grandchamp, kishte cilësuar si shkaktare për përhapjen në masë të sëmundjes në Francë, sfidën mes Lyonit dhe Juventusit, ndërsa janë ngritur edhe shqetësime për përballjen e kthimit mes PSG-së dhe Borussias së Dortmundit.

Pavarësisht se takimi ishte luajtur me dyer të mbyllura, jashtë impiantit parizien ishin mbledhur rreth 5 mijë tifozë, afërsia e të cilëve me njëri-tjetrin sipas mjekëve francezë mund të ketë ndikuar, në përhapjen e sëmundjes në kryeqytetin francez, me Francën që në dy ditët e fundit ka thyer çdo rekord sa i përket vdekshmërisë brenda 24 orëve për shkak të koronavirusit.

Nga ana tjetër mjekët gjermanë kanë shprehur gjithashtu shqetësim që edhe takimi i parë mes dy skuadrave i luajtur në Vestfali mund të ketë ndikuar në shtimin e rasteve, pasi sëmundja ka qarkulluar që në muajin shkurt, pavarësisht se deri në këto momente duket se vendi më i zhvilluar i Europës po arrin ta menaxhojë më mirë situatën me përhapjen e Covid-19.