Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë do të ndajë 5 milionë euro për ta luftuar pandeminë globale COVID-19, e cila deri tani i ka marrë jetën mbi 12 mijë njerëzve në botë.
Lajmin e ka konfirmuar Dinka Zhivalj, zëdhënëse për Komunikim në Zyrën e BE-së në Kosovë.
“BE-ja ka qenë gjithmonë pranë njerëzve të Kosovës, në kohë të mira dhe në krizë. Ne jemi duke punuar edhe me organizatat ndërkombëtare për ta ndihmuar Kosovën për t’i ndarë 5 milionë euro për ta luftuar shpërthimin e COVID-19”, ka thënë Zhivalj për Kohën.
Tutje, ajo ka theksuar se qëllimi i tyre është të mbrojnë shëndetin e njerëzve në Kosovë.
“Ne gjithashtu po kërkojmë mënyra për të ndihmuar edhe ekonominë e Kosovës, në mënyrë që të zbutet kriza”, tha tutje Zhivalj.
Nga Zyra e BE-së kanë thënë gjithashtu se BE-ja, vazhdimisht ka ndihmuar Kosovën në shumë fusha, dhe se këtë ndihmë, s’do ta ndalin.
Ndryshe, në Kosovë sonte janë konfirmuar edhe katër raste të reja të koronavirusit duke e çuar në 28 numrin e të infektuarve./GazetaSinjali/