image Përgjigja e Policisë e demanton Haradinajn për arsyen e dorëheqjes së Maxhunit nga AKI-ja? - Sinjali

Motivi/ Përgjigja e Policisë e demanton Haradinajn për arsyen e dorëheqjes së Maxhunit nga AKI-ja?

news image

Shpend Maxhuni i cili para dy javësh dha dorëheqje nga posti i drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ka kërkuar të rikthehet në Policinë e Kosovës.

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, kishte thënë se drejtori i AKI-së ishte dorëhequr për shkaqe shëndetësore. Por pasi e la institucionin më të lartë të sigurisë në vend, Maxhuni ka kërkuar punë në Policinë e Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.

“Motivancioni i dorëheqjes, pra vendimi është personal i tij. Motivacioni është arsyeja shëndetësore, që unë e respektoj”, kishte thënë Haradinaj një ditë pasi pranoi dorëheqjen e Maxhunit.

Maxhuni megjithatë ka vlerësuar se shëndeti i tij nuk përbën problem që ai të rikthehet për të punuar në Policinë e Kosovës, aty ku kishte shërbyer që prej themelimit.

“Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës ka pranuar kërkesë nga z. Shpend Maxhuni për rikthim në Policinë e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Gazetën Sinjali.

Më 6 nëntor, Maxhuni dha dorëheqje nga posti i drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Dorëheqja e tij u pranua nga Haradinaj, i cili e dekoroi Maxhunin me Medaljen e Skenderbeut, si vlerësim për profesionalizmin dhe besnikërinë në shërbim të atdheut.

Kanë mbetur edhe 9 ditë pune që, siç parasheh ligji, të zgjidhet drejtori i ri i AKI-së.

Sipas Ligjit për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, në rastet si ky, pozita e drejtorit të AKI-së duhet të plotësohet brenda 20 ditëve të punës. Shefi i AKI-së, ndonëse sipas ligjit i përgjigjet drejtpërdrejt kryeministrit, ai nuk mund ta emërojë vetë drejtuesin e këtij institucioni, pa pëlqimin e presidentit.

“Presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me Kryeministrin, emërojnë së bashku Drejtorin e AKI brenda njëzet (20) ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë”, thuhet në Ligjin për AKI-në.

Ligji poashtu specifikon se drejtori i AKI-së emërohet për një mandat 5 vjeçar, i cili mund të vazhdohet edhe njëherë. /Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin