Kanë përfunduar xhirimet e filmit artistik të metrazhit të gjatë “Familja” me regji të Durim Kryeziut, transmeton Sinjali.
“Familja” trajton një temë me raporte kontradiktore familjare mes tradicionales dhe bashkëkohores. Lona, një vajzë 16 vjecare e rritur në një familje tradicionale, ndjek pasionin e ri të saj për muzikën rok. Kjo ëndërr hasë në pengesë në momentin e prezentimit të parë të grupit të saj para publikut. Babai i Lonës, Bardhi, pëlqen muzikën folklorike, ai ka të vështirë ta pranojë pasionin e ri të Lonës, duke menduar kështu se vajza e tij lehtë do të mund të rrëshqasë në veprime delikuente. Bardhi duke ndjerë dhimbje për tre familjarët e zhdukur gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë, i përjeton edhe më rëndë veprimet e Lonës. Konflikti mes tyre thellohet në momentin që fillojnë gërmimet tek një varrezë masive, pranë së cilës Lona dhe grupi i saj xhirojnë videoklipin”, ka njoftuar Qendra Kinematografike e Kosovës.
Ky film është prodhim i shtëpisë filmike “2B studio”, dhe është subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës.
Në këtë film me regji nga Durim Kryeziu, luajnë Eli Gashi, Hazir Sh. Haziri, Arbnesha Nixha, Xhevat Qorraj, Lum Veseli, Lulzim Guhelli, Luan Daka, Avdi Gervalla, Labinot Lajqi, Urim Canhasi, Ideal Nrecaj, Rron Ukeimeraj, Vjollcë Osmani./Sinjali/