Antonio Conte do të vazhdojë të jetë trajner i Interit. Pas një mbledhje për më tepër se 3 orësh mes presidentit Steven Zhang dhe teknikut ziklatër, është vendosur që palët të vazhdojnë bashkëpunimin. Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi në komunikatën zyrtare të klubit.
“Takimi i sotëm mes klubit dhe Antonio Contes ishte konstruktiv, në emër të vazhdimësisë dhe ndarjes së strategjisë për të ardhmen. Në të u hodhën bazat për të vazhduar projektin së bashku”, thuhet në komunikatën e Interit.
Kohët e fundit ishin hedhur dyshime mbi vijimësinë e Contes te zikaltrit, pasi vetë trajneri pati shpërthyer disa herë kundër drejtuesve të klubit. Madje edhe pas finales me Sevillën, ishte vetë Conte që pranoi se e ardhmja te Interi mund të jetë edhe pa të.
Megjithatë tani duket se Zhang ka konfirmuar trajnerin për të paktën edhe vitin e ardhshëm, ndërsa tani priten lëvizjet në merkato për të përforcuar skuadrën dhe për të provuar fitimin e trofeve. /Sinjali Sportiv