image Përfundon rruga “Muharrem Fejza”, sfidë tani çështja e parkingut

Sociale

Përfundon rruga “Muharrem Fejza”, sfidë tani çështja e parkingut

news image

Është bërë pastrimi i rrugës “Muharrem Fejza”, bashkë me rrugët lidhëse si dhe hapësirat e tjera publike në ketë zonë.

Pas përfundimit të pastrimit u bë edhe kultivimi i sipërfaqeve gjelbëruara në këto hapësira, ku janë mbjellë lule.

Ndërsa, zyrtarë nga komuna e Prishtinës kanë njoftuar se pas dy viteve në këtë rrugë ka filluar edhe qarkullimi i autobusëve të linjave urbane.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, ka treguar se pastrimi i rrugës “Muharrem Fejza”, erdhi pas përfundimit të punimeve në këtë aks.

Pas asfaltimit të rrugës ‘Muharrem Fejza’, tani kemi filluar në si Shërbime Publike, trajtimin e rrugës, fillimisht kemi futur në funksion linjën e autobusëve, Qendrën 3A, për arsyeje të punimeve të stërzgjatura, më shumë se dy vite, as linja e autobusëve nuk ka qenë funksionale… Kemi filluar edhe me mbjelljen e luleve, gjelbërimin e zonave, kemi krijuar ishuj të ndryshëm me gjelbërim gjithashtu gjatë javës pritet mbjellja e drunjëve dekorativë, jo vetëm në rrugën kryesore, por edhe ne rrugët dytësore. Sot e kemi nda vikendin të pastrojmë rrugën për arsye të gjendjes çfarë ka qenë”, tha Musliu.

Pas përfundimit të rrugës, banorët janë ankuar se hapësirat e rezervuara për trotuare po shfrytëzohen për parkingun e veturave.

Megjithatë, Komuna e Prishtinës pritet të vendosë në ditët në vazhdim se si do të rregullohet çështja e parkingut.

“Si asfaltim ka përfunduar, pjesa e gjelbërimit, ishujt veç po behën, mirëpo duhet edhe pjesa e mobilitetit të rregullohet, andaj jemi duke shikuar, kemi filluar me disa rrethoja, do të këtë edhe shtylla anti-parking. Pjesë e projektit të cilin e kemi trashëguar është një shirit i cili është menduar të jetë për parking, mirëpo ka mundësi që ky shirit të eliminohet dhe të shfrytëzohet për biçikleta, jemi në fazën e diskutimit, javën tjetër dalim më një vendim final nga task-forca e mobilitetit…. Si rrugë kjo do të hyjë në programin tonë të mirëmbajtjes javore dhe të pastrimit javor”, ka thënë ai.

Ndërsa, Fatmir Krasniqi, banor i rrugës “Muharrem Fejza” është shprehur i lumtur për përfundimin e kësaj rrugë, gjersa ka kërkuar që të ketë pjerrina për të lehtësuar lëvizjen e personave me aftësi të kufizuar dhe për karroca për fëmijë.

Kjo rrugë ishte bërë sinonim sikur Kështjella e Rozafatit, derisa ditën punohej, natën sikur rrënohej. Sinqerisht ka qenë e pamundur, edhe në kohën e pandemisë, ka qenë pluhur. Më në fund është realizuar dhe ka marrë një pamje krejt tjetër… Ka pasur mangësi shumë kjo rrugë, edhe qytetarët sidomos kanë pasur vështirësi nxënësit që kanë shkuar në shkollën ‘Pavarësia’, nënat më foshnjë me karroca, këto duhen të merren parasysh i tregova edhe kryetarit që pjerrina nuk kanë paraparë askund, për karrocat apo edhe për personat më nevoja të veçanta, megjithatë është bërë një punë e madhe”, tha ai për KP.

Një tjetër qytetar i kësaj lagjeje, Flamur Berisha tha se rruga ka vonuar të rregullohet, ndërsa bëri thirrje Komunës së Prishtinës të vendosi pengesa në rrugë pasi po ngasin shpejtë dhe po rrezikohen fëmijët.

“Pritjet janë të mira, besoj që duhet të jetë edhe më mirë. Ka vonuar pak të rregullohet sepse ka një kohë por besoj që do të shkojë mirë… Rruga shpresoj është rregulluar mirë, brenda rryma, kanalizimi, rrjetet elektrike që mos të këtë nevojë të prehet asfalti përsëri… E kam bërë një kërkesë për të rruga ‘Jakov Xoxa’ sepse po vozitet shumë shpejtë. Rruga ‘Jakov Xoxa’ lidhet me rrugën ‘Muharrem Fejza’, po ngasin veturat shumë shpejt, taksistët sidomos, me motorë, kamionë, shumë shpejt vijnë. E kisha lutur Komunën sa më shpejtë të bëhet një pengesë, sa nuk është shkelur ndonjë fëmijë”, tha ai.

/GazetaSinjali/