Është mbyllur në orën 19:00 procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Procesi i votimit nisi në orën 7:00 të mëngjesit në 5199 qendra votimi në mbarë vendin, shkruan Gazeta Sinjali.
Gjatë ditës pati disa probleme në lidhje me procesin zgjedhor, ku komisioneri shtetëror Ilirjan Celibashi lajmëroi se është hakuar aplikacioni i KQZ-së, që shkaktoi vonesa në qendra të votimit.
Një incident zgjedhor ndodhi në fshatin Vashtemi të bashkisë Maliq, ku janë goditur me karrige një çift bashkëshortësh, sipas burimeve simpatizantë të Partisë Socialiste, shkruan A2CNN.
Probleme u shënuan edhe me pajisjet e identifikimit biometrik, vonesa në Lushnjë, Fushë-Krujë, Shkodër dhe Fushë-Arrëz
Përpos problemeve teknike në disa qendra votimi pati edhe tensione, në Vlorë, në qendrën e votimit nr. 4471, komisionarët u konfliktuan me njëri-tjetrin. Po kështu përplasje fizike pati edhe në Berat.
Pjesëmarrja në votime në krahasim me vitet e kaluar ka qenë më e lartë dhe procesi ka vijuar normalisht.
Të drejtën për të votuar në këto zgjedhje e kishin rreth 3.6 milionë qytetarë shqiptarë për të zgjedhur 140 deputetët e parlamentit të ri dhe qeverinë e re që do të drejtojë vendin për 4 vitet e ardhshme./Gazeta Sinjali/