Ndërsa Belgjika i detyron qytetarët të mbajnë maska mbrojtëse në fytyrë, personat me probleme të dëgjimit kërkojnë që të përdoren maska transparente në mënyrë që ata të komunikojnë.
Për këta njerëz tashmë edhe veprimet më elementare të ditës, si vajtja në dyqan, vështirësohen pasi të gjithë përdorin maska mbrojtëse dhe është e pamundur të lexosh buzët.
“Ne kemi kërkuar të krijohen maska transparente, për njerëzit që kanë probleme me dëgjimin, pasi ata marrin informacion prej leximit të buzëve. Me gojën e izoluar, është e pamundur, kjo pengon komunikimin. Maska në fytyrë krijon nervozizëm dhe shqetësim psikologjik prej pamundësisë për të kuptuar”, thotë Marie Florence-Devalet, e Federatës Frankofone për personat që nuk dëgjojnë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë raporton se rreth 5% e popullsisë në botë, ose 466 milionë njërëz, kanë problem të dëgjimit. Gjetja e maskave transparente është tejet e vështirë duke marrë parasysh që është problem edhe të gjesh maska të thjeshta.
Në një shkollë të Brukselit për nxënës me aftësi ndryshe, mësuesit po qepin vetë maska cope që kanë një hapësirë transparente në mes që lejon leximin e buzëve, tejet të nevojshme, kryesisht për femijët me autizëm./Gazeta Sinjali/