Kalendari i festave zyrtare, shumicën e kosovarëve i ka gjetur me 4 ditë pushimi. Kjo për shkak të ditëve të vikendit dhe festave zyrtare siç është 1 maji, dita e punëtorëve dhe festa e Fitër Bajramit, shkruan Gazeta Sinjali.
Për këto dy festa kosovarët pushuan të hënën e të martën. E një numër i madh i kosovarëve kanë vendosur që festën e Fitër Bajramit ta kalojnë në Shqipëri.
Bazuar në të dhënat e Policisë së Kosovës, dhënë Gazetës Sinjali vetëm dje përmes pikës kufitare në Vërmicë, kanë hyrë mbi 12 mijë persona dhe kanë dalë mbi 10 mijë.
Për Bajram, në këtë pikë kufitare, sipas statistikave të Policisë kanë hyrë 3 mijë e 747 vetura dhe kanë dalë 3 mijë e 376 të tjera. Në Vërmicë kanë hyrë po ashtu edhe 83 autobusë me udhëtarë dhe 50 të tjerë kanë dalur.
“Sipas kërkesës tuaj mund të ju konfirmojmë se në pikën kufitare në perëndim, kanë hyrë 12474 persona dhe kanë dalë 10538 të tjerë”, thuhet në përgjigjen e PK-së për Sinjalin.
Edhe gjatë vikendit pati frekuentim të madh të njerëzve nëpër pikat Kufitare të Kosovës. Sipas të dhënave të policisë, në kufi me Shqipërinë të shtunën dhe të dielën kanë hyrë mbi 23 mijë persona dhe kanë dalë mbi 26 mijë të tjerë.