Kina shprehet me optimizëm se ka arritur të kalojë situatën më të keqe me pandeminë, por ekonomia e saj përballet me vështirësi dhe kriza e papunësisë ka prekur të paktën 80 milionë qytetarë.
Ndërsa Kina përpiqet t’i rikthehet normalitetit pas betejës me pandeminë e Covid-19, problem serioz për vendin raportohet se kanë mbetur miliona të papunët prej masave kundër koronavirusit.
Shpërthimi i sëmundjes në muajin janar detyroi përkohësisht pezullimin e aktiviteteve tregtare dhe futjen në karantinë të ekonomisë së dytë më të madhe të botës.
Për pasojë, agjencia amerikane e lajmeve, CNN, raporton se gjatë kësaj periudhe 80 milionë punëtorë mund të kenë humbur vendet e punës.
Shifrat marrin për bazë statistikat zyrtare të Pekinit se niveli i papunësisë në zonat urbane në muajin mars u rrit në 5,9 për qind, por edhe 290 milionë punëtorët emigrantë në komunitetet rurale që punojnë në sektorët e ndërtimit dhe manifakturës.
Ekspertët presin që rrethanat të vështirësohen veçanërisht në javët e ardhshme pasi gati 9 milionë studentë diplomohen në shkolla dhe në universitete, kur tregu i punës ende vuan nga politikat kundër koronavirusit.
Ekonomia kineze në tremujorin e parë të vitit po ashtu raportoi se në kulmin e pandemisë u tkurr me 6,8 për qind, për herë të parë që nga vitet 90.
Megjithatë të dhënat tregojnë se aktiviteti në ndërmarrjet e vogla dhe të mëdha ka nisur rikuperimin e shpejtë në javët e fundit.
Teksa numri i të infektuarve aktivë me koronavirus qëndron i ulët, lehtësimi i masave të karantinës po shtyn gjithnjë e më shumë qytetarë drejt bizneseve ndërsa transporti dhe turizmi i brendshëm janë gjallëruar, edhe me mbështetjen e shtetit.
Pandemia në Kinë u ka marrë jetën 4,600 vetave edhe pse buroi pikërisht atje, ndërsa 84 mijë të tjerë janë konfirmuar si bartës të infeksionit./ Gazeta Sinjali/