image Për parandalimin e COVID-19, Komuna e Prizrenit i jep tender 20 mijë euro kompanisë që shet pjesë të automjeteve

Kosovë

Për parandalimin e COVID-19, Komuna e Prizrenit i jep tender 20 mijë euro kompanisë që shet pjesë të automjeteve

news image

Pas më shumë se dy muaj nga dita kur koronavirusi mbërriti edhe në Kosovë, Komuna e Prizrenit është angazhuar që t’i sensibilizojë qytetarët e saj për parandalimin e COVID-19.

Për “sensibilizimin e qytetarëve për parandalimin e COVID-19”, Komuna e Prizrenit e ka angazhuar një kompani e cila si aktivitet primar ka tregtinë me pakicë e pjesëve të automjeteve, ndërsa merret edhe me transport rrugor të mallrave.

Pavarësisht se kompania e kontraktuar nga komuna nuk ka lidhje me informimin e mjekësinë, “CONS ENG” i ka marrë 20,378.60 euro për këtë punë, raporton Gazeta Sinjali.

Kohëzgjatja e zbatimit të kësaj kontrate është parashikuar të jetë 6 muaj.

Në mesin e shërbimeve që është praparë t’i kryejë kjo kompani që merret me pjesë të automjeteve, është edhe realizimi i tri reklamave, për të cilat do të paguhet mbi 1 mijë euro.

Ndër tjerash, “CONS ENG” është angazhuar të realizojë edhe disa shërbime tjera si: “Info Grafik me voice over dhe animacion”, “perpilimi i materialeve për parandalimin dhe luftimin e COVID 19 (Në 3 gjuhë – Shqipe, Turke, Serbe/Boshnjake)”, “Pergaditja dhe perpilimi i infografika për shtyp dhe postime në fb.  (Në 3 gjuhë – Shqipe, Turke, Serbe/Boshnjake)”, etj.

Gjithashtu, kjo kompani do të ofrojë edhe shërbime psikologjike nga praktikantet, përmes thirrjeve telefonike, ku deklaron se duhet t’i angazhojë 6 praktikante për 2 muaj.

Edhe më të çuditshëm këtë tender e bën fakti se nga të dhënat në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK), kompania “CONS ENG” del se është hapur si biznes më 23 prill 2019.

Kjo kompani deklaron kapital prej 1 mijë eurosh dhe vetëm një punëtor.

Në mesin e rreth 10 aktiviteve të përshkruara në ARBK, pothuajse të gjitha janë shumë të ndryshme nga njëra tjetra. Nga tregtia e pjesëve të automjeteve, kjo kompani deklaron se merret edhe me aktivitetet e këshillimeve kompjuterike dhe kërkim e zhvillim eksperimental në shkencat shoqërore dhe humane. /Gazeta Sinjali/