image Zjarrfikësit në Prishtinë intervenojnë në mbi 80 raste, për një javë

Siguri

Zjarrfikësit në Prishtinë intervenojnë në mbi 80 raste, për një javë

news image

Brigada e Zjarrfikësve të Prishtinës për një javë ka intervenuar në mbi 80 raste, prej tyre 23 zjarre të hamulloreve, 22 bari i thatë e male.

Kohëve të fundit kur vendi po ballafaqohet më vatra të zjarrit ky shtab i zjarrfikësve të rajonit të Prishtinës intervenimet më të mëdha i ka kryer në komunën e Fushë-Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur shefi i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Latif Zeka i cili thotë se ekipet e tyre të zjarrfikësve i kanë dalë në ndihmë edhe komunës së Lipjanit.

Sipas tij, Brigada e Zjarrfikësve të Prishtinës ka vetëm 97 zjarrfikës, dhe për t’i përmbushur nevojat e kryeqytetit duhen edhe më shumë zjarrfikës.

“Prej datës 30 e deri më sot vetëm i kemi mbi 80 intervenime ku prej tyre 23 janë hamullore, 22 bari i tharë dhe të tjera male, ashensor, shtëpi, vetura, kabllo elektrike dhe lloj-lloj intervenimesh të tjera. Për fat të mirë kemi pasur zjarre këtu që kanë qenë por kemi intervenuar shpejt atëherë kur na u është bërë ftesa ne kemi dal në vendin e ngjarjes dhe nuk e kemi lënë të zgjerohen zjarret dhe deri tani janë menaxhuar ashtu siç duhet. Edhe dje edhe sot i kemi dal në ndihmë Lipjanit që kanë pasur shumë intervenime dhe zjarre ku numrin e kanë shumë të vogël të zjarrfikësve… Në këto katër komuna që i mbulojmë, më së shumti zjarre kemi pasur në komunën e Fushë-Kosovës ku kanë qenë hamullore, bari i tharë, shkurre e kështu me radhë”, theksoi ai.

Zeka thotë se Brigada e Zjarrfikësve të Prishtinës ka mungesë të zjarrfikësve pasi tash e 17 vite nuk është pranuar asnjë punëtor i ri.

Ai e ka komentuar dhe hapjen e konkursit për pranimin e zjarrfikësve në disa komuna të shpallur nga Ministria e Punëve të Brendshme.

“Prishtina i ka pajisjet deri diku por problemi kryesor është mungesa e zjarrfikësve pse po e them këtë është sepse që 17 vite asnjë zjarrfikës i ri nuk është pranuar, vjetërsia është jashtëzakonisht e madhe diku prej 49 vjeç është mosha mesatare, ky është problem i madh dhe tjetri problem është statusi i padefinuar që 10 vite po bëhen nuk po zgjidhen. Problemi tjetër është se hapja e konkursit të fundit përveç në Prishtinë nuk e kanë hapur, nuk e di pse nuk po arrijnë të merren vesh Agjencioni i Menaxhimit Emergjent me komunën, nuk e di pse na kanë lënë kështu…Ne i kemi 92 plus i kemi 5 të Fushë-Kosovës që janë integruar tek ne domethënë 97, Prishtina si Prishtinë duhet t’i ketë së paku 150 zjarrfikës dhe mosha të jetë e re”, theksoi ai.

Derisa i bënë të ditura kërkesat elementare të zjarrfikësve të komunës së Prishtinës, shefi i Brigadës së Zjarrfikësve të kryeqytetit thotë se si kompani vetëm po shkojnë prapa pasi punëtorët po plaken e pajisjet po vjetërsohen ndërsa mbështetja e shtetit po mungon.

“Vetëm dy kërkesa i kam të zgjidhet statusi i zjarrfikësit dhe të pranohen zjarrfikës të rinj, kjo është dhe në fund duhet të rregullohet benificioni, të jemi në një nivel me policinë pasi jemi punëtorë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kjo është kërkesa ime… Nuk kemi njerëz që t’i fusim në funksion, çdo gjë po shkon përpara ne jemi duke shkuar prapa, një hap para pesë prapa, pse sepse ne po plakemi, automjetet po vjetërsohen jemi duke shkuar prapa e jo përpara ”, deklaroi Zeka.

Tash e shtatë ditë vendi po vazhdon të ballafaqohet me situatën e zjarreve të krijuara si pasojë e temperaturave të larta, ku aktualisht situatë më e rëndë është në Parkun Kombëtar të Bjeshkëve të Nemuna në Shtupeq të komunës së Pejës. /GazetaSinjali/