Që kur pandemia e koronavirusit përfshiu vrullshëm Italinë, për herë të parë ka rënë numri i pacientëve në terapi intensive.
Në spitalet italiane tani janë 3,994 pacientë me koronavirus, të shtruar nën kujdesin e terapisë intensive, thënë ndryshe 74 më pak se një ditë më parë, raporton Ansa.
”Nga këta, 1 326 janë në Lombardi. Nga 88 227 pacientë, 29 010 janë shtruar në spital me simptoma dhe 55 270 janë në izolim në shtëpi”, njoftoi Mbrojtja Civile italiane.
“Për herë të parë kemi një shifër shumë të rëndësishme. Numri i pacientëve në kujdesin intensiv është 74 më pak dhe është një lajm i rëndësishëm sepse lejon që spitalet tona të marrin frymë. Kjo është vlera e parë negative që nga fillimi i menaxhimit të urgjencës”, deklaroi kreu i Mbrojtjes Civile, Angelo Borrelli.
”Por, ne nuk e kemi kaluar fazën kritike. Rreziku nuk ka ikur, ne nuk kemi shpëtuar aspak.Një studim autorizues në fakt ka përcaktuar të paktën mbi 30 mijë numrin e jetëve që janë shpëtuar ose vdekjeve të shmangura përmes masave të kontrollit”, theksoi nga ana e tij Franco Locatelli, presidenti i Këshillit të Lartë të Shëndetit. /Gazeta Sinjali/