Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, që nga dita e djeshme është hapur qendra për mundësimin e vaksinimit për bashkatdhetarë, por që interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar është mjaftë i ulët. Sa i përket qytetarëve këtë vaksinim ata e quajnë të detyrueshëm.
Specialistja e mjekësisë familjare, Zyrafete Hoti-Hashani, tha se interesimi për vaksinim është i ulët. Sipas saj, nga dje vetëm dy persona janë vaksinuar në aeroport.
“Sa i përket interesimit është mjaftë i ulët, kjo shihet jo vetëm në Aeroportin e Prishtinës por edhe në gjitha qendrat e vaksinimit në Kosovë”.
“Sa dëgjova dje vetëm 100 doza janë aplikuar, dje kemi pas dy raste në Aeroportin e Prishtinës që janë vaksinuar, derisa sot deri në këtë moment nuk ka pas asnjë. Për shkak që edhe ka pas problem fluturimi për shkak mjegullës mund të ndodhë edhe ajo, por deri në këtë moment nuk kemi pas asnjë rast”.
“Sot ne kemi dalë këtu në aeroport kryesisht për dozën e parë, për ata që kanë qenë të pa-vaksinuar”, ka thënë Hashani për KP.
Kurse qytetari Ndue Pepaj, thotë se është një mundësi e mirë për ata që nuk janë të vaksinuar, por që vaksinimin e quan të detyrueshëm.
Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.604.907 doza të vaksinës./GazetaSinjali/