image Për 24 orë, 6 raste me koronavirus në Shqipëri

Rajon

Rajon/ Për 24 orë, 6 raste me koronavirus në Shqipëri

news image

Në Shqipëri gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 6 raste të reja me COVID-19, duke e çuar numrin e të prekurve në 383. Po ashtu, për një ditë janë shëruar edhe 15 pacientë, duke bërë që gjithsej të jenë 131 të shëruar.

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik të Shqiëprisë, Silva Bino, në komunikimin e sotëm u shpreh se deri më tani janë testuar 2mijë e 753 raste të dyshuara, ndërsa kanë humbur jetën 22 qytetarë.

“Në 24 orët e fundit janë identifikuar 182 persona të dyshuar me COVID-19 te cilët janë raportuar nga urgjenca mjekësore, mjeku i familjes dhe njësitë vendore të kujdesit shëndetësor. Nga këta persona, 6 prej tyre kanë rezultuar pozitivë. Katër prej tyre gjenden në Tiranë, një në Elbasan dhe një në Korçë. Kjo e çon numrin e testuar 2753 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 383 raste. Betejën me këtë sëmundje e kanë humbur deri tani 22 qytetarë, të cilët kanë pasur forma të rënda të sëmundjes dhe sëmundja të tjera shoqëruese. Gjatë 24 orëve të fundit, 15 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 131”, tha Bino.

Ajo deklaroi se në shërbimin infektiv aktualisht janë 67 të shtruar, 5 prej të cilëve janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi” në Tiranë janë 7 pacientë të shtruar gjithsej. Gjashtë pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 3 të tjerë janë të intubuar. Në dy spitalet COVID aktualisht tha se po marrin shërbim 74 pacientë.

Po ashtu, u tha se është vënë re një ulje e ndjeshme e numrit të rasteve të prekurve nga COVID-19 që tregon se hetimi epidemiologjik dhe gjurmimi i rasteve të reja apo kontakteve të tyre ka funksionuar në mënyrën e duhur dhe është kryer sipas protokolleve të përcaktuara.

Bino u kërkoi qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social, pasi siç e tregojnë edhe shifrat e ditëve të fundit, ku ka raste brenda të njëjtës familje. Është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit, për çdolloj arsye, për të parandaluar transmetimin e COVID-19.

Sa i përket hartës së të prekurve, shpërndarja gjeografike është: Tirana me 181 raste, Durrësi me 38 raste, Lushnja me 5 raste, Elbasani 11 raste, Fieri 26 raste, Kavaja 8 raste, Rrogozhina 4 raste, Korça 17 raste, Vlora 5 raste, Shkodra 44 raste, Lezha 14 raste, Berati 2 raste, Has 12 raste, Krujë 5 raste, Tropojë 4 raste, Pukë 4 raste dhe Mirditë 3 raste./Gazeta Sinjali/