Ndryshimi i kufijve, kur bëhet fjalë për çështjen e Kosovës, nuk duhet të çojë në një efekt domino në rajon, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, presidenti i Maqedonisë Veriore, Stevo Pendarovski, transmeton Gazeta Sinjali.
“Kosova ka qenë në kufirin tonë për shumë vite me një status ndërkombëtar të pazgjidhur. Më 27 qershor, pas disa vitesh, njoftohet rinisja e këtyre negociatave”, tha Pendarovski.
Ai thekson se të gjithë në rajon me siguri do të ndiejnë efektet – të mira apo të këqija – se si do të zgjidhet problemi i Kosovës.
“Unë nuk po them se ndryshimi i kufijve nuk mund të jetë zgjidhje për problemin e Kosovës, por kjo nuk duhet të çojë në një efekt domino në rajon dhe nuk duhet të prekë dhe shkelë në kufijtë tanë”, tha Pendarovski.
“Duke vepruar kështu,” thotë ai, “ne jemi duke kërkuar garanci të qarta ndërkombëtare, nëse një zgjidhje e tillë është në tryezë dhe nëse ajo pranohet në Beograd dhe Prishtinë”.
“Shpresoj për një zgjidhje të shpejtë për këtë çështje, dhe unë sinqerisht e dua atë, sepse ky problem, ndër të tjera, mban në mënyrë objektive rajonin e gozhduar”, tha presidenti maqedonas.
Ai tha se është pak i rezervuar në kontekstin e afatit kohor për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, sepse Amerika, si një lojtar kryesor në sfond, po hyn në periudhën parazgjedhore.
“Ne jemi praktikisht disa muaj larg zgjedhjeve amerikane, dhe BE gjithmonë ka ndjekur udhëheqjen e SHBA, por në këtë moment unë nuk shoh ndonjë sinkronizim midis BE dhe administratës në Washington”, tha Pendarovski. /Gazeta Sinjali/