image PDK: Vjosa Osmani e shkeli ligjin, ta kthejë sa më parë fotografinë e Thaçit në zyrë

Kosovë

Ragimi/ PDK: Vjosa Osmani e shkeli ligjin, ta kthejë sa më parë fotografinë e Thaçit në zyrë

news image

Pas Presidencës, edhe Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar për vendimin e kryetares së re të Kuvendit, Vjosa Osmanit për ta hequr fotografinë e presidentit Hashim Thaçi, duke e zëvendësuar atë me fotografinë e presidentit historik, Ibrahim Rugovës.

PDK, sikurse edhe Presidenca vlerëson se kryetarja e re e Kuvendit, e cila sipas tyre është zgjedhur në mënyrë të dyshimtë, e ka shkelur ligjin për protokollin me veprimin për ta larguar fotografinë e Thaçit, shkruan Gazeta Sinjali.

“Vjosa Osmani, e zgjedhur natën dhe me votat e Listës Srpska, ka shkelur rëndë ligjin NR.03/L-132 Për Protokollin e Shtetit të Republikës së Kosovës duke hequr fotografinë zyrtare të Presidentit. Zbatimi i ligjit nuk varet nga dëshirat e askujt pavarësisht bindjeve politike dhe këtë gjë ajo duhet ta dijë mirë si eksperte dhe ligjëruese e jurisprudencës”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Veprimin e Osmanit, PDK e ka quajtur primitiv dhe që përçon gjuhë të urrejtjes dhe përçarjes së qytetarëve.

“Me veprimin e saj primitiv, kryekuvendarja e zgjedhur në mënyrë të dyshimtë, Vjosa Osmani përfaqëson mentalitetin e vjetër që synon hakmarrjen dhe përçon gjuhën e urrejtjes dhe përcarjes së qytetarëve. Që në ditën e parë në pozitën e re, ajo po dëshmon se përfaqëson vetëm interesin e saj brenda partisë së vet dhe jo ti shërbej institucionit ku është zgjedhur.Me këtë veprim anti-ligjor ajo gjithashtu fyën rëndë edhe institucionin që drejton, Kuvendin e Kosovës, tempullin e demokracisë dhe ligjvënies në vendin tonë”, thuhet në komunikatë.

Tutje, PDK ka thënë se po e shqyrton “anën ilegale të zgjedhjes” së Vjosa Osmanit në krye të Kuvendit.

Në fund, PDK ka kërkuar që sa më parë fotografia e presidentit Hashim thaçi të kthehet në zyrën e kryetares së Kuvendit. /Gazeta Sinjali/