image Reagon Presidenca pas largimit të fotografisë së Thaçit nga zyra e kryeparlamentares

Kuvendi/ Reagon Presidenca pas largimit të fotografisë së Thaçit nga zyra e kryeparlamentares

news image

Presidenca e Kosovës ka reaguar pasi kryetarja e re e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani vendosi që ta largojë nga zyra e saj fotografinë e presidentit Hashim Thaçi.

Presidenca është deklaruar se të gjitha institucionet obligohen me ligj që në mjediset e tyre ta vendosin fotografinë e presidentit.

Veprimin e Vjosa Osmanit për ta zëvendësuar fotografinë e Thaçit me atë të presidentit historik, Ibrahim Rugovës, Presidenca e ka cilësuar si shkelje dhe precedent të keq për të gjitha institucionet, shkruan Gazeta Sinjali.

“Presidenti i Republikës përfaqëson autoritetin më të lartë të shtetit dhe të gjitha institucionet obligohen me Ligjin për Protokollin e Shtetit që në mjediset e tyre ta vendosin fotografinë e Presidentit. Kuvendi është institucion ligjvënës i Republikës së Kosovës dhe si i tillë do të duhej të ishte shembulli më i mirë i zbatimit të ligjit. Nuk e dimë nëse është e vërtetë ajo që është raportuar, por një veprim i tillë gjithsesi që do ishte shkelje e ligjeve në fuqi dhe një precedent i keq për të gjitha institucionet e Kosovës’’, thuhet në përgjigjen e Presidencës për Klan Kosovën.

E pyetur për këtë çështje, kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka thënë se e ka bërë një veprim të tillë pasi që dëshiron që në zyre ta ketë fotografinë e dikujt që e inspiron.

“Natyrisht që ka arsye. Unë e njoh ligjin dhe në përputhje të plotë me ligjin fotografia e presidentit është në Kuvend.  Unë kam dashur qe në ballë të zyrës ta kem dikë që më inspiron. Ligji për simbolet nuk e përcakton se në cilin cep të ndodhet fotografia e presidentit”, tha Osmani para gazetarëve. /Gazeta Sinjali/