Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka prezantuar shifrat e prodhimit, eksportit dhe importit të energjisë elektrike gjatë muajve të vitit 2022.
Deputeti Tahiri tha se në tre muaj, shkurt, mars dhe prill, Kosova ka mbuluar kërkesën për konsum, pavarësisht se qytetarët kanë paguar me rritje çmimesh.
“Gjatë këtyre tre muajve (shkurt, mars, prill) ne i kemi paguar dyfishin e çmimit të energjisë elektrike të prodhuar nga KEK-u me çmimin e njëjtë, KEK-u nuk e ka shtrenjtu çmimin e megavatit në anën tjetër neve na u janë dyfishu fakturat dhe i kemi nda plus 100 milionë euro për subvencionim të faturave“, tha Tahiri.
Ai tutje vazhdoi duke thënë: “Ne e dijmë që 25 milionë eurot e para janë shpenzu një pjesë nga KEK dhe KESCO, por më nuk dijmë se si janë shpenzu 100 milionë euro për subvencionimin e tarifave të qytetarëve.Për tre muaj, prodhimi në vendin tonë e ka mbulu kërkesën për konsum kur ne i kemi pagu faturat në rritje“.
Deputeti i PDK-së, ndër tjera tha se subvencionimi prej 100 milionë euro nga Qeveria për rrymën dhe shifrat e prezantuara për prodhimin, eksportin dhe importin, duhet të shpjegohen dhe qartësohen njëkohësisht.
“Këta numra flasin shumë, këta numra dojnë shpjegim të prodhimit, eksportit dhe importit e dojnë një shpjegim. Të panjohurat tona janë, pse duhet me u dyfishi çmimi i energjisë elektrike, e që KEK nuk e ka shtrenjtu vazhdon me shitë të njëjtin dhe pse duhet me u subvencionu tarifat me 100 milionë euro shtesë para të qytetarëve kur poashtu nuk ka nevojë për import, pra ky është një projeksion që ka dalë nga institucionet tona dhe janë të dhëna zyrtare”, tha ai.
“Këto fakte janë të mjaftueshmë për një deputet të Kuvendit që të bindet se duhet një Komision Hetimor Parlamentar”, tha Tahiri.
Tahiri i bëri thirrje kryeministrit Kurti që t’i lejojë deputetët e VV-së ta votojnë themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar.