Koordinatori i Departamentit për Financa në Partinë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka thënë sot në konferencë për media se të dhënat e paraqitura së fundmi nga qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti për zhvillim ekonomik dhe punësim të 40 mijë qytetarëve, dëshmojnë se kabineti qeveritar është i shkëputur nga realiteti.
Sipas tij qytetarët e Kosovës gjatë këtij viti janë varfëruar dhe ekonomia ka shënuar rënie të madhe.
“Në kohën kur Kosova po shënon krizën më të rëndë ekonomike në 22 vitet e fundit, kur qytetarët po varfërohen çdo ditë e më tepër për shkak të rritjes së çmimeve dhe rritja ekonomike po bie me ritëm të shpejtë, Kryeministri i vendit paraqiti disa tregues përmes të cilëve po synon t’i bindë qytetarët se ata nuk po ballafaqohen me vështirësi ekonomike, por po e jetojnë një periudhë të lulëzimit të ekonomisë. Si duket, në këtë vend, vetëm Kryeministri dhe vartësit e tij dhe askush tjetër besojnë se ekonomia e vendit po lulëzon”, tha Mustafa.
Sipas Mustafës, në Kosovë nuk janë krijuar 40 mijë vende pune gjatë qeverisjes së Kurtit.
“Kryeministri po deklaron se ka krijuar 40 mijë vende të reja pune, por ndoshta e ka fjalën për Gjermaninë ose vendet tjera ku po imigrojnë të rinjtë tanë”, deklaroi Mustafa.
“Norma e inflacionit për produktet esenciale është mbi 20%, që do të thotë se paratë në duart e qytetarëve sot vlejnë rreth 20% më pak sesa që kanë vlejtur para një viti. Në këtë normë të lartë inflacioni, kontribut shumë të rëndësishëm ka dhënë refuzimi i Qeverisë së Kosovës për të ndërmarrë masa fiskale që do ta frenonin rritjen e çmimeve. Norma reale e rritjes ekonomike në tremujorin e dytë të vitit 2022 ishte vetëm 2.1%, rritja e më e ulët e shënuar gjatë një tremujori të dytë që nga viti 2014, përjashtuar pandeminë në vitin 2020. Me këtë ritëm, si dhe duke pasur parasysh pritjet për krizën e energjisë gjatë dimrit, ekonomia e vendit shumë lehtë mund të shkojë drejtë recesionit. Kjo do të nënkuptonte më pak vende pune dhe më pak të ardhura për qytetarët”, u shpreh Mustafa.
Ai tha se ndërprerjet e furnizimit të energjisë elektrike gjatë muajve të verës ishin “paralajmërimi më i qartë” për atë se çka po e pret vendin gjatë dimrit.
Tutje, ai tha se gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, Kosova ka shënuar rënie të investimeve të sektorit publik, rënie të investimeve të sektorit privat dhe rënie të sasisë së mallrave të eksportuara.