image PD shpall rezultatin paraprak, Basha merr mbi 80% të votave

Shqipëri

PD shpall rezultatin paraprak, Basha merr mbi 80% të votave

news image

Kryetari i Komisionit të Administrimit të Zgjedhjeve në PD, Jemin Gjana, ka bërë të ditur se rezultati zyrtar për kryetar partie pritet të publikohet nesër, ndërsa ai paraprak flet për një fitore bindëse të Lulzim Bashës.

Kryetari aktual i PD, sipas rezultatit paraprak të publikuar nga PD, ka marrë mbi 80% të votave. Kandidati i dytë më i votuar është Agron Shehaj me 15.55%, ndërsa Edit Harxhi ka marrë 2.45% dhe Fatbardh Kadilli 2% të votave, raporton Euronews Albania.

Këto janë zgjedhjet e treta brenda PD-së që Lulzim Basha fiton. Në garën e parë për të marrë drejtimin e PD, ai fitoi në vitin 2013 përballë Sokol Olldashit, ndërsa në vitin 2017 pas humbjes në zgjedhjet parlamentare fitoi sërish garën për të qenë kryetar partie përballë Eduart Selamit.

Lulzim Basha e ka drejtuar Partinë Demokratike deri tani në tri procese zgjedhore kombëtare pa llogaritur zgjedhjet lokale 2019, që opozita i bojkotoi, zgjedhjet lokale 2015, zgjedhjet parlamentare 2017 dhe zgjedhjet e fundit parlamentare më 25 prill 2021.

Sprova e tij më e afërt do të jenë zgjedhjet lokale që parashikohet të zhvillohen në 2023. Por, në rast se Gjykata Kushtetuese nuk e shpall të vlefshëm procesin e mbajtur në vitin 2019, atëherë mund të kemi një datë më të afërt për përsëritjen e zgjedhjeve lokale që u mbajtën pa opozitën./Gazeta Sinjali/