Ndonëse janë të kontraktuar për të mirëmbajtur rrugët e kryeqytetit, këta punëtorë të pastrimit nuk po e kryejnë si duhet punën e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Një banor i rrugës “Imzot Nik Prelaj”, në lagjen “Ulpiana” të Prishtinës, ka dërguar në adresë të Sinjalit një video ku shihen disa punonjës të mirëmbajtjes të cilët nuk i largojnë, por i fshehin mbeturinat.
Mëngjesin e të premtes, rreth orës 09:31, këta punëtorë janë incizuar nga kamera e këtij banori, duke i zhvendosur mbeturinat disa metra larg kontejnerëve dhe duke e fotografuar vendin ku ishin mbeturinat paraprakisht.
Ai thotë se këta punonjës kanë marrë vetëm disa prej mbeturinave inerte të hedhura nga një qytetar dhe pjesën tjetër e kanë larguar vetëm disa metra larg kontejnerëve, duke e lënë në gjendje të tmerrshme.
“Pas pak kohe mirëmbajtësit e rrugëve të Prishtinës janë ardhë dhe i kanë larguar nga afërsia e kontejnerëve dhe i hodhën më larg, duke i marrë vetëm disa prej tyre, ndërsa pjesët e tjera i kanë lënë në gjendje të tmerrshme, duke shëmtuar edhe më shumë rrugën në atë zonë.”
“Në fund u kujdesën që të pastrojnë zonën prej 1m rreth kontejnerëve dhe i bënë fotografi gjendjes ‘së mirë’ të pastrimit, duke e neglizhuar pjesën prapa fotos, të cilën e krijuar vetë ata”, tha ai për Sinjalin./Gazeta Sinjali/