Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri ka reaguar pas një foto të publikuar nga brenda avionit të Air Albania që vinte nga Frankfurti në Tiranë, pasditen e të premtes.
Në një deklaratë për mediat, MIE shprehet se foto është shkrepur në momentin e akomodimit të pasagjerëve në bord (pra kur avioni ndodhet në tokë).
Po kështu sipas MIE, të gjitha fluturimet e kryera nga Air Albania, për llogari të procesit të riatdhesimit, kryhen në përputhje të plotë me rregulloret ndërkombëtare të aviacionit.
Në foton e siguruar nga LSA duket që të gjithë udhëtarët mbajnë maskë, por janë shumë pranë njeri-tjetrit, ndonëse qeveria kërkon respektimin e distancimit fizik.
Megjithatë, fotoja nuk është shkrepur gjatë udhëtimit, por teksa avioni ndodhej në tokë dhe pasagjerët po akomodoheshin në sediljet përkatëse.
Deklarata e plotë:
Në këtë moment kaq delikat, kur vendi dhe bota ndodhen nën gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të pandemisë COVID 19, kur informacionet për publikun duhet të jenë më realiste se kurrë, vëmë re në vazhdimësi tendencën për disinformim të qëllimshëm, lidhur me transportin e qytetarëve, në kuadër të procesit të riatdhesimit.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë deklaron me përgjegjësi se të gjitha fluturimet e kryera nga Air Albania, për llogari të procesit të riatdhesimit, kryhen në përputhje të plotë me rregulloret ndërkombëtare të aviacionit.
Shprehim keqardhjen tonë për fotot e shpërndara në disa gazeta dhe portale, të shkrepura në momentin e akomodimit të pasagjerëve në bord (pra kur avioni ndodhet në tokë) duke pretenduar se pasagjerët kanë udhëtuar në këmbë.
Çdo fluturim ka në bord aq pasagjerë sa ka edhe vende të disponueshme me rrip sigurie dhe në disa raste avionët fluturojnë dhe me më pak pasagjerë se kapaciteti maksimal, në varësi të kërkesës.
Ky fakt është lehtësisht i verifikueshëm nga numri i pasagjerëve që kalojnë pikën kufitare të Rinasit dhe vendeve të disponueshme sipas tipit të avionit, ndaj mund të kthehet në ditët në vazhdim në një argument të fortë ligjor, për t’u përballur para drejtësisë me ata individë apo portale, të cilët abuzojnë qëllimisht prej ditësh me këtë proces jetik, në kuadër të masave të marra nga Qeveria Shqiptare për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Për të gjithë ata, që shprehin shqetësim për distancimin social në avion, ju informojmë dhe njëherë se gjatë transportit me avion, apo me autobus, për në strukturat karantinuese, janë përdorur kapacitetet maksimale të mjeteve transportuese, pasi të gjithë qytetarët e riatdhesuar karantinohen për 14 ditë.
Është e patolerueshme, fushata disinformuese për procesin e riatdhesimit dhe abuzimi me foto e video, që nuk i përkasin momentit të fluturimit.
Bëjmë thirrje për seriozitet dhe përgjegjshmëri, pasi dizinformimi nuk ndihmon askënd në këtë situatë pandemie, përveç krijimit të panikut e konfuzionit, me dashje.