Partia Nisma Socialdemokrate ka mbështetur vendimin e KQZ-së për rinumërim të votave në 303 vendvotime.
Kandidati për deputet nga kjo parti, Bilall Sherifi përmes një konference për media tha se KQZ më në fund e pranoi gabimin që është bërë në ditën e zgjedhjeve.
“KQZ mori vendim ashtu siç kemi pretenduar ne se ka pasë gabime në formularë, KQZ megjithatë më në fund pranoi gabimin. Ka pranuar se kemi gabime në formularë pra, gabime teknike, që në fakt ato kanë qenë gabime në bartjen e të dhënave”, ka deklaruar Sherifi.
Sherifi tutje ka shtuar se ky vendim duhet të shtrihet edhe më tej.
“Jemi të kënaqur me fillimin e pranimit të gabimit. Ky vendim duhet të shtrihet edhe më tej. Askush nga Nisma nuk është duke e kontestuar daljen në zgjedhje, deri në këtë pikë jemi në rregull, nga momenti kur janë hapur kutitë janë numëruar votat dhe ka filluar bartja e tyre në formularë aty pastaj janë bërë gabime të mëdha që rrezikon vërtetësinë e të dhënave”, ka shtuar ai./Gazeta Sinjali/