Gazeta Sinjali raportoi mëngjesin e sotëm për rrjedhje të vazhdueshme të kanalizimit në rrugën “Uran Ajeti” te “Mati 1” në kryeqytet. Për këtë, është deklaruar edhe Kompania Rajonale e Ujësjellësit.
Në një përgjigje për Sinjalin nga kjo kompani, thanë se ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të kanalizimit çdo të dytën ditë intervenojnë në atë pjesë të rrugës ” Uran Ajeti”.
“Aty kemi të bëjmë me një gyp kanalizimi të profilit të vogël e në të njëjtën kohë edhe mjaft i dëmtuar, për shkak të hedhjes së gjësendeve të ngurta, ndërtimeve të shumta kolektive, kamionëve për bartjen e betonit”, tha për Sinjalin Arieta Mjeku, zëdhënëse në këtë kompani.
Në tërësi, shtoi ajo, gjatësia e atij gypi të kanalizimit është i dëmtuar.
“Komuna e Prishtinës ka kërkuar kohë më parë nga ne që ta ndërrojmë vetëm një segment më të dëmtuar të atij gypi derisa patën thënë që shumë shpejt pastaj do e ndërrojnë gypin në tërësi. Ne e kemi ndërruar atë segment, derisa Komuna e Prishtinës ende nuk ka ndërmarrë diçka rreth ndërrimit të atij gypi në tërësi”, shtoi Mjeku për Sinjalin.
Ajo shton se çdo të dytën ditë KRUP del në këtë rrugë për të sanuar probleme, derisa adresa e vetme sipas tyre, është Komuna e Prishtinës.
“Tash adresa e vetme është Komuna e Prishtinës. Përgjegjësinë tonë e kemi kryer”, shtoi ajo.