Gazeta Sinjali dje raportoi për Florent Vrellën, të riun nga Ferizaj i cili ka dëmtuar shenjat e komunikacionit në disa pjesë të qytetit dhe për më tepër, pamjet ku shihet duke i kryer këto veprime, ai i ka publikuar vetë në rrjetin social TikTok.
Pas publikimit të lajmit nga Sinjali, policia ka njoftuar se e ka identifikuar personin dhe vendndodhjen e tij dhe të njëjtin e ka shoqëruar në stacion policor.
Ndaj tij është hapur rasti “Dëmtim i pronës publike”.
“Pasi është intervistuar nga ana e policisë, me vendim të Prokurorit nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti penal, dëmtim i pronës publike dhe ky rast mbetet për procedurë të mëtejme hetimore”, thuhet në njoftimin e policisë.
21-vjeçari ka publikuar dy video-incizime, njëri përpara Gjykatës Themelore në Ferizaj dhe tjetrën në fshatin Talinovc i Muhaxherëve, po ashtu në Ferizaj, ku shihet duke i dëmtuar shenjat e komunikacionit.
Pas publikimit të lajmit, mbrëmë Florent Vrella ishte lajmëruar në redaksinë e Gazetës Sinjali, duke e arsyetuar veprimin e tij.
Sipas tij, shenjat ishin dëmtuar vetvetiu, jo nga ai, ndonëse në video vërehet qartë duke e goditur me grusht.
“Ajo (shenja) ka qenë e këput vetë, shihet edhe në video. Si mundem me rregullu me hekë qata”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/