image Partitë akuzojnë njëra-tjetrën për zvarritje të procesit të liberalizimit të vizave

Politikë

Partitë akuzojnë njëra-tjetrën për zvarritje të procesit të liberalizimit të vizave

news image

Deputetet e Kuvendit të Kosovës dhe njëherit anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë e kanë cilësuar si shumë të padrejtë situatën në të cilën gjendet Kosova sa i përket liberalizimit të vizave.

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, tha se shtetet anëtare të BE-së akoma nuk janë të bindur se Kosova ka kryer punët dhe detyrimet e saj. Tutje ajo thotë se puna kryesore e Qeverisë Kurti është ndryshe nga qeveritë e kaluara sidomos në këtë drejtim.

Tani si Qeveri e re dhe si parlament i ri e kemi për qëllim dhe jemi të angazhuar në gjitha shtetet e Bashkimit Evropian që ti bindim se Kosova ka plotësuar kriteret dhe se Kosova ka një Qeveri të re dhe është e fokusuar që ta zhvillojë vendin, të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe në këtë mënyrë ne e meritojmë liberalizimin e vizave tani. Kështu që ne po punojmë që t’i bindim shtetet anëtare. Problemi që ne akoma nuk kemi liberalizim të vizave është se shtetet anëtare nuk janë bindur se Kosova ka luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, mirëpo tani kjo është puna jonë dhe ne duhet t’i tregojmë që kemi një Qeveri të re dhe është ndryshe prej viteve të kaluara dhe po punojmë intensivisht në këtë drejtim”, tha Pacolli për EO.

Pacolli thekson se qytetarët e kanë kuptuar padrejtësinë që po u bëhet kundrejt kësaj çështje dhe se shumë shpejtë do i bindin ndërkombëtarët se qasja e tyre është e padrejtë.

Qytetarët tashmë e kanë kuptuar se është e padrejtë ajo që po ju bëhet karshi edhe nga BE-ja, për shkak të mos liberalizimit të vizave për Kosovën. Ne po bëjmë punën tonë dhe tashmë vendimi varet nga ata se çfarë themi ne dhe sidomos çfarë bëjmë. Ne jemi shumë të kujdesshëm dhe çdo vendim që ne marrim është në përputhje me vlerat e BE-së, luftojmë korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe kjo shihet edhe në praktikë duke arritur që në këtë mënyrë shumë shpejtë ti bindim ata që ne e meritojmë liberalizimin e vizave, dhe është shumë e padrejtë mënyra se si po na qasen ata neve”, theksoi tutje ajo.

Ajo thotë se është opozita ajo e cila e ka sjell Kosovën deri në këtë pikë, dhe që ka mashtruar qytetarët me data të pavërteta.

Është opozita ajo e cila e ka sjell Kosovën deri në këtë pikë, është ajo e cila ka premtuar data dhe nuk i ka realizuar dhe është pikërisht opozita e cila nuk e ka luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe tashmë ne duhet t’i përmirësojmë gabimet që i ka bërë opozita që t’ia rregullojmë imazhin e Kosovës”.

Kurse deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, tha se Qeveria Kurti po hesht në çështjen e liberalizimit të vizave dhe nuk ka ndonjë strategji të veçantë.

Ne si shtet që nga viti 2016, atëherë kur komisioni evropian e kanë japur miratimin e tyre për liberalizim të vizave, mirëpo ne e dimë që problem kryesor janë shtetet të cilat hezitojnë ta shtyjnë përpara këtë proces. Qeveria Kurti po e shohim se ka një heshtje në këtë drejtim, sepse ata do duhet të kenë një strategji të veçantë për këto vende të cilat janë njohëse të Kosovës, andaj duhet të ketë një strategji të veçantë që të shtyhet përpara ky proces”.

Sipas saj, Qeveria Kurti pikërisht me premtimin e çështjes së liberalizimit të vizave ka fituar votat e që një gjë të tillë nuk e ka realizuar akoma, duke treguar tutje se sa është e vështirë krejt ky proces dhe pajisja me viza për qytetarët.

Qeveria Kurti, premtim me të cilin ka fituar vota ka qenë se do ta kthejë ministrinë e integrimit, pra do duhej të ishte kjo ministri adresa e parë e shteteve të BE-së karshi Kosovës, e që një gjë të tillë nuk e ka realizuar. Mendoj që duhet të ketë një ministri të integrimeve, ashtu siç ka qenë me punë kryesore integrimin e Kosovës në BE, shumë nga të huajtë janë pro liberalizimit të vizave, por që duhet të kemi një qeveri aktive në këtë drejtim që të shtyjmë përpara këtë proces”, theksoi tutje ajo.

E kuptoj me shumë të drejtë sepse edhe unë jam qytetare e këtij vendi dhe mund ta di se sa është e vështirë aplikimi për vizë, e posaçërisht tani në këtë periudhë, mirëpo si opozitë ne jemi vazhdimisht duke jap propozime, dhe duke provuar që të shtyjmë proceset përpara drejt liberalizimit të vizave, por që është në dorën e qeverisë”, përfundoi ajo.

Deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadriaj, tha se është hera e parë që kryeministri Albin Kurti, por edhe deputetët e tjerë e kanë pranuar më në fund se Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave.

Është hera e parë që kryeministri Kurti, por edhe deputetët e tjerë e pranuan më në fund që Kosova ka përmbushur kushtet dhe kriteret për liberalizim të vizave, sepse gjithmonë kanë diskutuar se Kosova ka ende kushte për të plotësuar për liberalizim të vizave. Në fakt ka qenë Kosova vendi i vetëm që ka pasur kushte dhe kritere më shumë se sa gjitha vendet e tjera edhe të rajonit dhe më gjerë. Është një padrejtësi dhe ne si deputetë duhet të avokojmë si anëtare të Komisionit për Punë të Jashtme, sepse ne pavarësisht se a jemi pozitë ose opozitë qëndrimet tona karshi temave të mëdha siç është dialogu dhe çështja e liberalizimit të vizave, duhet të kemi një qasje ndryshe dhe të lobojmë për të mirën e Kosovës”, tha ajo.

Ajo thekson se pozitë e opozitë duhet të bëhen bashkë për të përmbushur këtë proces dhe padrejtësinë të bërë ndaj shtetit tonë.

Qytetarët e Kosovës, tashmë e kuptojnë se kemi përmbushur të gjitha ato kushte dhe kritere dhe nuk është në dorën e asnjë qeverie, dhe as të kësaj për procesin e liberalizimit të vizave, dhe kjo është një padrejtësi”, përfundoi Kadriaj.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, pas vizitës disa ditore në Kosovë se institucionet i kanë përmbushur të gjitha kriteret prandaj i takon BE-së t’u përmbahet zotimeve./Gazeta Sinjali/