Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka parandaluar një tentim për futjen e sendeve të kundërligjshme në Qendrën Korrektuese të Dubravës, falë një operacioni të koordinuar të zhvilluar mbi bazën e informacioneve të inteligjencës.
Sipas SHKK-së, aksioni u realizua nga Njësia e Inteligjencës Korrektuese (NJIK), në bashkëpunim me Departamentin e Sigurisë së Qendrës Korrektuese të Dubravës dhe institucionet e tjera të sigurisë.
Gjatë bastisjes së planifikuar, zyrtarët korrektues gjetën dhe sekuestruan gjashtë telefona mobilë, si dhe rreth 480 gram substancë të dyshuar.
Për rastin është njoftuar Policia e Kosovës, e cila ka ndërmarrë veprimet procedurale dhe ka sekuestruar materialet e gjetura, ndërsa Shërbimi Korrektues i Kosovës ka nisur hetimet e brendshme.
SHKK ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe forcimin e sigurisë në të gjitha institucionet korrektuese të vendit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!