Emisari special i SHBA-së, Richard Grenell ka vizituar Beogradin pas vizitës në Prishtinë dhe po tenton që t’i vë palët përsëri në tavolinën e dialogut.
Pas takimit të sotëm me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, Grenell paralajmëroi se nuk do të lejojë që zgjidhja e mosmarrëveshjes Kosovë-Serbi të zgjasë shumë nëse nuk ka përparim.
Madje, Grenell tha se nëse Kosova dhe Serbia nuk duan të dialogojnë, ai do të heq dorë nga ndërmjetësimi dhe “do të bëj diçka tjetër”, transmeton Gazeta Sinjali.
“Ndihem i entuziazmuar dhe me energji kur fillojmë të flasim dhe të përparojmë. Nëse palët vendosin se nuk duan më të flasin, unë do të shkoj dhe do të bëj diçka tjetër”, theksoi diplomati amerikan.
“Më takon mua që të sjellë dy palët në tavolinë, dhe është në dorë të palëve për të vendosur. Palët duhet të më thonë mua se çfarë mendojnë dhe çfarë duan. Unë po bëj përpjekje për një të ardhme më të mirë, për njerëzit në Kosovë dhe Serbi. Ne duhet të bëjmë gjithçka për të tejkaluar atë që të gjithë e shohin si një konflikt . Nëse dy palët nuk lëvizin dhe arrijnë një marrëveshje, në do të tërhiqemi”, paralajmëroi Grenell.
Kërkesa e Grenell për ndalimin e fushatës së Serbisë kundër njohjeve të Kosovës është kundërshtuar nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se nuk mund të barazohet taksa me fushatën e Serbisë.
Dje në Kosovë, Grenell kërkoi që taksa ndaj produkteve serbe të shfuqizohet dhe asnjëri nga liderët me të cilët ai u takua nuk e kundërshtoi kërkesën e tij. /Gazeta Sinjali/