Në dy ditët e ardhshme në Kosovë parashihet se do të ketë mot të ndryshueshëm, ku janë paralajmëruar vërshime në zonën e Dukagjinit, shkruan Gazeta Sinjali.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 3-4 gradë celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 11-13 gradë celsius.
“Të mërkurën parashihet të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell. Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes me shpejtësi deri 12m/s. Të enjten parashihet që vendi ynë të ndikohet nga masat e lagështa të ajrit duke krijuar kushte për vranësira të dendura të cilat do ti takojnë stadit të ulët dhe të mesëm të Troposferës”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.
Sipas IHMK-së, kjo situatë e krijuar meteorologjike do të krijoj kushte që të kemi reshje shiu, kurse në viset e larta reshje bore.
“Reshjet do të përfshijnë gjithë territorin duke rrezikuar disa zona të Dukagjinit nga vërshimet. Temperaturat do të shënojnë ulje në të dy vlerat ekstreme. Minimalet do të lëvizin ndërmjet 1-2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 7-9 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes me shpejtësi 1-10m/s”, thuhet në njoftimin e IHMK-së. /Gazeta Sinjali/