image Kërkohet konsultimi me SHBA-në dhe BE-në para se Kosova të fillojë fushatën për anëtarësim në organizata

Politikë

Kërkohet konsultimi me SHBA-në dhe BE-në para se Kosova të fillojë fushatën për anëtarësim në organizata

news image

Qysh një vit më parë, pas nënshkrimit të marrëveshjes së Washingtonit, Kosovës iu ndalua fushata për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, shkruan Sinjali.

Mirëpo kjo ndalesë ishte vetëm për periudhe njëvjeçare. Si baraspeshim mes Kosovës e Serbisë, kjo marrëveshje e iniciuar nga SHBA-ja ia pat ndaluar edhe Serbisë fushatën për çnjohje të pavarësisë së Kosovës.

Sot kësaj ndalesë i ka ardhur fundi, pasi Kosova mund të fillojë fushatën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare si Interpol, UNESCO e Këshilli i Evropës.

E në këtë rrugë të anëtarësimit po këshillohet konsultimi me SHBA-në dhe BE-në.

Drejtori Ekzekutiv i Institutit EPIK, Demush Shasha ka thënë për Sinjalin që çfarëdo hapi i ardhshëm sa i përket njohjeve tjera apo anëtarësimit në organizata ndërkombëtare duhet të jetë i konsultuar ngushtë me SHBA-në dhe BE-në.

“Konsideroj se është e rëndësishme që çfarëdo hapi i ardhshëm qoftë sa i përket njohjeve të reja, apo anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, të jetë ngushtë i konsultuar me SHBA-në dhe BE-në.”, ka thënë Shasha për Sinjalin.

Mirëpo në këtë proces, sipas Shashës, faktor i rëndësishëm është përkushtimi ndaj dialogut Kosovë-Serbi .

“Njëkohësisht duhet kujtuar se aleatët tonë strategjik kanë bërë të qartë rëndësinë e progresit në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi. Prandaj, unë besoj se që procesi i konsolidimit të pozitës ndërkombëtare të vendit është ngushtë i lidhur me progresin në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi.”, ka thënë ai.

Prej shpalljes së pavarësisë, Kosova numëron 117 njohje. Njohja e  fundit ishte ajo e Izraelit në kuadër të marrëveshjes së Washingtonit.

E Shasha për këtë ka thënë që është meritë e aleatëve strategjikë të Kosovës.

“Duhet kuptuar drejt se Kosova ka një rol dhe peshë shumë të kufizuar në kuadër të skenës ndërkombëtare. Rrjedhimisht çdo njohje e Kosovës apo anëtarësim në organizatat ndërkombëtare që nga shpallja e pavarësisë është realizuar fal ndihmës së aleatëve strategjik të Kosovës.”, ka thënë ai.

Mirëpo, 4 shtatori shënon edhe përfundimin e pezullimit të fushtatës së Serbisë për çnjohje të pavarësisë së Kosovës.

Fushata e Serbisë ka ndikuar shumë që Kosova të mos jetë pjesë e dy organizatave ndërkombëtare të rëndësishme, si UNESCO dhe INTERPOL.

Por pavarësisht fushatës së egër të Serbisë, Kosova ka arritur të anëtarësohet në disa organizata ndërkombëtare, si Banka Botërore, FMN, FIFA, UEFA, CEFTA e të tjera.

Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e SHBA-së, më 4 shtator të vitit të kaluar kanë nënshkruar marrëveshjen prej 16 pikave për stabilizim të marrëdhënieve mes dy shteteve.

Këto janë organizatat, ku është anëtare Kosova:

  • Banka Botërore
  • Fondi Monetar Ndërkombëtar
  • Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim
  • Federata Botërore e Futbollit
  • Federata Evropiane e Futbollit
  • Komiteti Olimpik
  • Organizata Botërore e Doganave
  • Marrëveshja për Tregti të Lirë e Evropës Qendrore (CEFTA)

Ndërsa në këto organizata nuk është anëtare Kosova:

  • Organizata së Kombeve te Bashkuara
  • Bashkimi Evropian
  • Këshillit i Evropës
  • Organizata Botërore e Tregtisë
  • Organizata Botërore e Shëndetësisë
  • Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë
  • Organizata Ndërkombëtare e Policisë Kriminale (INTERPOL)
  • Agjencia për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara (UNESCO)

/GazetaSinjali/