Pasojat e pandemisë janë shqetësuese për psikologen Afërdita Hoxhaj, e cila thotë se trauma dhe depresioni janë evidente te qytetarët.
Hoxhaj theksoi që edhe numri i vrasjeve është rritur pas shfaqjes së pandemisë.
Nëse ndodh një mbyllje tjetër totale, ajo thotë që pasojat do jenë akoma më të mëdha dhe gjendja psikologjike e njerëzve do rëndohet shumë.
“Nëse ndodh edhe një mbyllje prapë atëherë do të rëndohet edhe më shumë gjendja psikologjike e secilit prej neve. Akoma jemi në pandemi dhe pasojat më të mëdha kanë me u pa pas kalimit të pandemisë, pasi akoma jemi brenda problemit”, tha ajo për ekonomiaonline.
“Numri i vrasjeve është rritur me pandeminë, e vet efekti dhe ngarkesa psikologjike që ju bëhet njerëzve e bën që ta humb edhe ekuilibrin e vet, si përfundim kisha thënë që është duke ndikuar kjo pandemi edhe tek vrasjet”, theksoi tutje Hoxhaj.
Mes tjerash Hoxhaj thotë që përballja me COVID-19 si diçka e re ka bërë që njerëzit të jenë në një gjendje jo të mirë psikologjike dhe shpirtërore.
“Pandemia ka ndikuar në masë të madhe tek e gjithë popullata, dhe ka shkaktuar një frikë dhe pasiguri në masë të madhe duke pasur parasysh se si popull nuk jemi përballur më herët me pandeminë dhe nuk kemi pasur mekanizma ballafaques me situatën, mandej ka ndikuar mbyllja e menjëhershme, ndërprerja e kontakteve sociale, anulimi i planeve të përgatitura dhe të gjitha kanë rënduar gjendjen shpirtërore dhe emocionale gati në masë të madhe te secili”, deklaroi ajo.
Ajo më tej ka bërë të ditur se ka pasur kërkesa të shumta për trajtim psikologjik online, sidomos nga moshat e reja.
“Unë kam punuar edhe me linjën online dhe kanë qenë kërkesat jashtëzakonisht të mëdha, efektet po shihen edhe sot sepse akoma mbaj linjën online efektet shihen shumë. Kjo ka prekur edhe moshat e reja, jo vetëm moshat e pjekura tek të cilët ka bërë rënien e lumturisë te ta, por efektet më të mëdha gjatë përvojës time ka qenë depresioni, ankthi dhe paniku. Nuk duhet lejuar që frika të shkaktohet në panik dhe të ndikojë në gjendjen emocionale”, përfundoi Hoxhaj. /Gazeta Sinjali/