Një fëmijë ka humbur jetën si pasojë e rënies së një zjarri, në fshatin Sanxhak të Kurbinit këtë të premte.
Policia njofton se si pasojë e zjarrit i mituri është djegur e asfiksuar, duke gjetur kështu vdekjen.
“Sot, rreth orës 15:00, në banesën e shtetasit H.Ç., banues në Sanxhak, Kurbin, ka rënë zjarr, ku pas mbërritjes së shërbimeve të Policisë dhe zjarrfikëses, në ambientet e brendshme të banesës është konstatuar trupi i pajetë i një të mituri, 2-vjeçar.Nga veprimet e para hetimore rezulton se fëmija ka ndërruar jetë si pasojë e asfiksisë dhe djegies. Në vendngjarje grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes”, njoftoi policia.
Fillimisht zjarri ka rënë në një magazinë fare pranë godinës ku jetonte familja me 7 fëmijë dhe më tutje ka përfshirë dhe banesën. Magazina përdorej nga kryefamiljari për të mbledhur kanace dhe plastika, pasi kushtet ekonomike të tyre ishin shumë të rënda.
Paraprakisht flitet se një sobë druri brenda magazinës mund të jetë bërë shkak i ndezjes së flakëve, teksa në media raportohet se fëmija ka qenë duke luajtur me shkrepëse./Gazeta Sinjali/