Një ngjarje e rëndë për Xh.A. nga Podujeva ndodhi me 29 nëntor të këtij viti, pasi në Spitalin Amerikan në Prishtinë, bashkëshortja e tij, F.A, 65 vjeçare humbi jetën derisa ishte në sallën e kardiologjisë invazive, më qëllimin e hapjes së arterieve koronare, mëson Gazeta Sinjali.
Për trajtimin e bashkëshortes së tij, XH.A., deklaroi se pagoi 13 mijë euro, mirëpo rastin në Polici ai e deklaroi sepse dyshon se bashkëshortes së tij nuk iu vunë fare stentat në këtë spital.
Burime të Gazetës Sinjali brenda Spitalit Amerikan kanë thënë për Sinjalin se më 29 nëntor, diku rreth orës 12:00, viktima F.A., ishte dërguar në këtë spital me autoambulancë.
Këto burime bëjnë me dije se burri i viktimës deklaroi në Polici se para dy muajsh gruas së tij i ishin vendosur dy stenta në zemër, derisa një javë para se të ndodhte rasti, përsëri mjekët ia kanë vendosur edhe katër stenta të tjera.
Burri i të ndjerës kishte deklaruar po ashtu se F.A., e kishin dërguar në spital pas gjendjes së rënduar, ku më pas edhe e kanë vendosur në sallë të operacionit, pasi mjekët e njoftuan se i janë mbyllur dy stenta dhe duhet menjëherë të intervenojnë.
Tutje, burimet e Sinjali thonë se burri i viktimës tha në Polici se mjekët i kishin premtuar se kjo ndërhyrje nuk do të jetë e rrezikshme.
Sinjali mëson se burri i të ndjerës F.A., ka deklaruar gjithashtu se ka kërkuar që t’i bëhet obduksioni trupit të viktimës, pasi që dyshon se nuk ia kanë vënë stentat fare gruas së tij gjatë operacionit.
Për trajtimin e saj, bashkëshorti deklaroi se ka paguar 13,000 euro, por as kjo shumë nuk arriti t’i sigurojë sukses në intervenimin e realizuar.
Pagesa prej 13 mijë eurove ka qenë për të gjitha kontrollet dhe vendosjen e stentave, që është kryer nga një doktor (emër i njohur për redaksinë), i cili edhe i ka garantuar familjarëve se operacioni do të ketë sukses, ka deklaruar në Polici, XHA.
Gazeta ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga Spitali Amerikan në Prishtinë lidhur me këtë ngjarje, por të njëjtit nuk janë pëgjigjur.
Sinjali raportoi për këtë rast, të cilin e konfirmoi edhe Policia e Kosovës, ku njoftuan se me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës ishte dërguar në IML për obduksion.
Për ngjarje të tilla në Spitalin Amerikan, Gazeta Sinjali pati raportuar edhe më parë.