Ish-ministri i Punëve të Jashtme, tash deputeti i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka folur për përjashtimin e Kosovës nga “Samiti i Demokracisë”. Ai ka thënë se ky gjest ka qenë se kryeministri Kurti mori atë që donte nga ShBA, vijën e kuqe.
Pacolli, përmes një postimi në ‘Facebook’, ka thënë se ky është dëm i madh për Kosovën.
“Kryeministri Kurti mori atë që donte. Nga Shtëpia e Bardhë, jo e kuqja, apo e gjelbërta, u vendos në grupin e shteteve që kanë vijë të kuqe nga Shtëpia e Bardhë. Dëm i madh për Kosovën”, deklaroi Pacolli.
“Përjashtimi i Kosovës nga Samiti i Demokracisë, i cili ka qenë projekti i politikës së jashtme të Presidentit Biden, është po aq shqetësues sa edhe nevojë për të reflektuar se ku po shkon Kosova. Është hera e parë që Kosova përjashtohet nga një Samit i Shoqërive të Lira, samit ku Kosova duhet të ishte e para në rajon. Kosova më shumë se kurrë më parë ka nevojë të thyejë ciklin e izolimit. Shteti ynë duhet të jetë në forume shumëpalëshe si ky forum, por duhet të ketë edhe angazhim bilateral”, shkroi ndër të tjera ai.
Lidhur me këtë çështje u deklarua edhe ambasada amerikane në Kosovë, e cila tha se s’mund t’i akomodojë të gjithë partnerët pasi qëllimi ka qenë që të përfshihen demokracitë me llojllojshmëri të madhësisë së popullsisë.
“Samiti i Presidentit për Demokraci është njëra nga shumë nismat e ShBA-së, të përqendruara në avancimin e demokracisë, luftimin e korrupsionit dhe promovimin e respektimit të të drejtave të njeriut përreth globit. Jo të gjithë partnerët mund të akomodohen në këtë nismë. Qëllimi ka qenë që të bëhet bashkë një grup rajonal e socio-ekonomik i vendeve e juridiksioneve, që i përfshin demokracitë me themele të mira si dhe demokracitë në shfaqje e sipër me llojllojshmëri të madhësisë së popullsisë, demografi e vendndodhje”, deklaruan nga ambasada.