image Pacolli: Hoti i tha po mini-shengenit, kurse jo anëtarësimit në BE

Politikë

Pacolli: Hoti i tha po mini-shengenit, kurse jo anëtarësimit në BE

news image

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli ka thënë se kryeministri i Kosovës në kundërshtim të plotë me Kushtetutën është zotuar se do ta suspendojë të drejtën legjitime të shtetit të Kosovës për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare.

Pacolli tha se ishte kërkesë e Serbisë që Kosova të heq dorë nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare.

“Kosova është shtet i pavarur, por të qenit shtet i pavarur nuk mjafton nëse nuk të njihet subjektiviteti ndërkombëtar dhe këtë ne duhet ta dimë më së miri. Anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare rajonale mbetet alternativë e domosdoshme për të siguruar njohjen e subjektivitetit ndërkombëtar dhe shtetësinë. Duke qenë shtet i vogël Kosova nuk ka mundësi të shtrijë rrjetin e saj diplomatik në çdo cep të botës. Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare krijon hapësirë për shtrirje të ndikimit të saj dhe jep zë për të avancuar interesat e saj. Anëtarësimi në organizatën ndërkombëtare z. Hoti është njohje e pavarësisë së Kosovës nga shtete që nuk e kanë njohur akoma Kosovën. Përmes njohjes kolektive anëtarësimi në organizata ndërkombëtare i siguron Kosovës të drejtën e votës në këto organizata dhe formalisht e barazon atë me shtetet e tjera”, tha ajo.

Me këtë zotim për mos aplikim për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, Pacolli tha se po dëmtohet pozita e shtetit të Kosovës edhe në ato organizata ku tashmë është anëtare.

“Si është e mundur që moratoriumi një vjeçar të mos aplikohet kur bëhet fjalë për pjesëmarrjen e Kosovës në zonën e mini-shengenit apo në zonën e Novisadit. Si është e mundur Kosovës t’i pezullohet e drejta për t’u anëtarësuar në BE, në NATO, UNESCO, dhe t’i lejohet e drejta për t’u anëtarësuar në zonën e Novisadit. Si mundet të ndodhet kjo, pra ju si një proamerikan i thoni po mini-shengenit dhe zonës së Novisadit, por jo Bashkimit Evropian. Ju i thoni po mini-shengenit apo zonës së Novisadit por jo anëtarësimit në NATO, e çuditshme kjo. I thoni po mini-shengenit, por jo Këshillit të Evropës. I thoni po mini-shengenit apo zonës së Novisadit, por i thoni jo Organizatës Botërore të Shëndetësisë. I thoni po mini-shengenit apo zonës së Novisadit, pra iniciativës së Serbisë, por jo UNESCO-së”, tha ajo. /Gazeta Sinjali/