image Pacienti i Psikiatrisë sulmon zyrtarin e Shërbimit Korrektues, e grushton në fytyrë - Sinjali

Pacienti i Psikiatrisë sulmon zyrtarin e Shërbimit Korrektues, e grushton në fytyrë

news image

Jo rrallëherë ndodhin raste të sulmit ndaj zyrtarëve të institucioneve të ndryshme në Kosovë, të cilët pengohen dhe nuk lejohen të ushtrojnë detyrën zyrtare. Një rast i tillë ka ndodhur edhe në Klinikën e Psikiatrisë Forenzike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Bëhet fjalë për një zyrtar të Shërbimit Korrektues, i cili u sulmua nga një pacient.

Rasti ka ndodhur dje, në orët e mesditës, kur një pacient i kësaj klinike sulmoi zyrtarin e SHKK-së, pasi ky i fundit i ofroi ndihmë, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rasti është denoncuar menjëherë në Polici, me ç’rast një patrullë ka dalë në vendin e ngjarjes, për të marrë deklaratë nga viktima, se si u përball me pacientin brenda hapësirave të Klinikës së Psikiatrisë.

Posa njësia policore ka arritur në QKUK, për t’iu përgjigjur rastit, zyrtari i SHKK-së, ka dhënë versionin e tij, se si u sulmua me grushte në fytyrë nga pacienti i dyshuar. Sipas deklaratës së viktimës, pacienti fillimisht i kishte kërkuar atij ndihmë dhe pasi zyrtari deshi t’i ndihmojë, ai iu kthye me sulm, duke i shkaktuar lëndime, për çka ka pranuar tretman mjekësor.

Pas marrjes së informatave të para, prokurori ka dhënë urdhër që të iniciohet rasti ndaj të dyshuarit si “sulm ndaj personit zyrtar”.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin