Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Në këtë takim është biseduar për situatën aktuale politike në vend, me theks të veçantë në veriun e vendit ku prej disa ditësh ka nisur zbatimi i reciprocitetit me targa me Serbinë, si masë e barabartë e trajtimit të palëve.
Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vetëm po e përmbush një aspekt ligjor dhe se nuk ka asnjë tendencë nga pala kosovare për ta tensionuar situatën e sigurisë.
E para e vendit ka kërkuar që faktori ndërkombëtar të dënojë “tendencat e Serbisë për destabilizim” të rajonit.
“Përkundrazi, sipas presidentes Osmani një tendencë e tillë, po shpërfaqet hapur nga pala serbe, e cila e ndikuar edhe nga qarqet ruse po përpiqet të shkaktojë destabilizim në gjithë rajonin e Ballkanit. Për këtë shkak, ajo ka kërkuar që i gjithë faktori ndërkombëtar të dënojë tendencat e Serbisë për destabilizim”, thuhet në kumtesë.
Në takim me Von der Leyen, presidentja Osmani citohet të ketë thënë se Kosova e ka të qartë rrugën përpara dhe se e ardhmja e saj është në Bashkimin Evropian.
Në raport me procesin e integrimit, ajo ka theksuar se BE-ja duhet ta ketë një strategji të qartë për integrimin e Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë edhe Kosova.
Vonesat në këtë proces, sipas presidentes Osmani e zbehin kredibilitetin e BE-së.
“Presidentja Osmani, në takim me presidenten e KE-së, ka ritheksuar se Kosova tashmë ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim vizash, ndaj ka kërkuar që BE-ja t`i mbajë premtimet ndaj Kosovës dhe që shtetet anëtare të BE-së ta respektojnë rekomandimin e Komisionit Evropian”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e lëshuar nga Presidenca.
Presidentja Osmani dhe Presidentja Von der Leyen diskutuan për mbështetjen që Republika e Kosovës do të marrë nga Bashkimi Evropian në kuadër të Planit Ekonomik dhe Investues në kontekst të investimeve në arsim, zhvillim të qëndrueshëm, rritje ekonomike, si dhe fuqizimit të të rinjve e grave.
Ndërkaq, sa i përket procesit të dialogut me Serbinë, e para e vendit ka potencuar se Kosova është palë konstruktive dhe se fundi i tij duhet të jetë me njohje të ndërsjellë, si e vetmja zgjidhje për paqe të qëndrueshme në rajon./Gazeta Sinjali/