Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani qëndron të hënën në Berlin. Atje po qëndron për të marrë sërish mbështetjen e Gjermanisë për çeljen zyrtare të negociatave me BE-në.
Një temë në bisedimet në Berlin është edhe situata në rajon.
Ai për DW foli për pritjen e rifillimit të bisedimeve Kosovë-Serbi, dhe qarkullimit të dy dokumenteve jozyrtare, “nonpapers”, ku jepen ide për zgjidhjen e çështjeve të hapura në Ballkanin Perëndimor. “Non-papers” ai i ka pritur me shqetësim.
“Jemi të shqetësuar dhe prandaj është ky angazhim i shtuar diplomatik për të sjellë këtë mesazh: Do të duhet patjetër të ngushtojmë hapësirën për shpërndarjen e këtyre non-paper-ve. Këto kanë gjetur hapësirë për shkak të mesazheve jo të qarta të Bashkimit Evropian sa i takon perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor. Sa më të qarta të jenë mesazhet, sa më i fuqishëm të jetë kredibiliteti i BE-së në rajon, aq më e ngushtë është hapësira që të dalin në shprehje dokumente të tilla”, u shpreh Osmani.
“Pra, ajo që duhet bërë urgjentisht është që të fillojnë bisedimet me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë me BE-në dhe me këtë të ngushtojmë dukshëm mundësinë për manovra të tilla. Dhe të përshpejtohet dialogu, në mënyrë që të ndërpritet status-quoja ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, që të nisë një dinamikë e re e rrugëtimit të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian”, u shpreh tutje ai.
Ai ka folur edhe për atë se Qeveria e Kosovës nuk e ka prioritet dialogun.
“Kosova dhe Serbia janë shtete sovrane dhe ato vendosin për fatin e dialogut dhe epilogun e dialogut. Ne, si vend anëtar i NATO-s në rajon kemi për detyrë të kontribuojmë në stabilitetin e përgjithshëm rajonal. Por statusquoja në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk e ndihmon këtë stabilitet rajonal. Kjo po dëshmohet tani me këto përpjekje për të dhënë ide, të cilat mund të ngatërrojnë edhe më tepër rajonin dhe të sfidojnë paqen. Prandaj kujtoj se këto dy vendime janë urgjente: Vendimi për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe intensifikimi i dialogut me qëllim qe të ndërpritet statusquoja ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, u shpreh ai për DW. /Gazeta Sinjali/