Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka treguar në pikat të shkurtra në lidhje me përmbajtjen e marrëveshjes në mes të LDK-së dhe VV-së. Ajo ka thënë se një pjesë e saj është publikuar në ditën kur është votuar qeveria. Sipas saj në marrëveshje janë trajtuar me detaje të gjitha çështjet.
“Mua po më vjen keq që nuk qenka publikuar ende, unë kam menduar që është publiku. Një pjesë e saj ka dal në ditën kur është votuar qeveria, para se të votohej ajo. Ajo çka keni parë atë ditë ishte një përmbledhje e shkurtër. Çka ka në marrëveshje thjeshtë një trajtim më i gjatë i temave të njëjta”, ka thënë Vjosa Osmani.
Osmani ka thënë se LDK-ja dhe VV-ja kanë diskutuar për depolitizimin e bordeve publike dhe shërbimit të jashtëm.
“Ajo çka mund të konfirmoj është kjo që në marrëveshje përveç ndarjes së posteve të larta politike. Ne si dy partner të koalicionit jemi pajtuar që të bëjmë departizimin dhe depolitizimin e bordeve dhe departizimin e shërbimit të jashtëm. Në asnjë moment ndonjë ndarje e përgjegjësive partiake për institucione të pavarura, është krejt e kundërta”.
Ajo ka shtuar se pjesë e marrëveshjes është edhe çështja e dialogut me Serbinë po ashtu edhe çështja e të pagjeturve të luftës.
“Çështjet e tjera janë trajtuar në detaje si në ekonomi, politikë, dialogun. Tek dialogu veç çështjes së tarifës ne jemi pajtuar që asesi mos të lejojmë që temat që lidhen me sovranitetin, rregullimin e brendshëm të mos jenë pjesë e dialogut, patjetër që si institucione të kërkojmë reparacionet e luftës, personat e pagjetur e shumë tema të tjera”, ka thënë ajo. /Gazeta Sinjali/