Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka folur për situatën në Ukrainë, në një radio britanike. Ajo ka thënë se Kosova si vend është thellësisht e shqetësuar për situatën atje njëjtë si pjesa tjetër e vendeve demokratike në botë.
“Shpreh mbështetjen dhe solidaritetin tonë me popullin e Ukrainës si dhe mbështetjen e plotë për sovranitetin dhe integritetin territorial të këtij vendi. Ne besojmë fuqishëm se ajo që po ndodh është një abuzim flagrant i pushtetit dhe një shkelje e të drejtës dhe praktikave ndërkombëtare nga Rusia”, tha Osmani për TIMES Radio.
Tutje Osmani tha se lejimi që Rusia të pushtojë Ukrainën, do të krijonte efekt në gjithë botën që autokratët do të vendosnin për shtetet sovrane.
Osmani po ashtu u pajtua me kryeministrin e Britanisë, Boris Johnoson, se Rusia po përpiqet në mënyrë aktive të destabilizojë rajonet e tjera në botë, sikurse Ballkanin Perëndimor, siç tha ajo, “përmes Serbisë si satelite të saj”.
E para e shtetit tha se përgjigja ndaj Rusisë duhet të jetë e unifikuar dhe se NATO-ja duhet të ketë një rol shumë aktiv.
“Synimi ynë është t’i bashkohemi NATO-s, dhe po bëjmë përpjekje për këtë, si vendi me popullin më pro NATO në botë”.