image Osmani për vaksinat që ShBA do ia dhurojë Kosovës: Ia kam kërkuar Bidenit në mars

Shëndetësi

Osmani për vaksinat që ShBA do ia dhurojë Kosovës: Ia kam kërkuar Bidenit në mars

news image

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pasi që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhuruar 25 milionë vaksina për shtetet e ndryshme të botës, në mesin e të cilëve është edhe Kosova, raporton Gazeta Sinjali.

Osmani thotë se kjo ndihmë ka ardhur pas kërkesës që ajo thotë se ia ka bërë presidentit amerikan, Joe Biden, më 19 mars të këtij viti, duke i kërkuar mbështetjen e ShBA-së për dhurimin e vaksinave antiCOVID.

Presidentja thotë se një muaj më vonë, më 19 prill 2021, Biden i ishte përgjigjur pozitivisht kërkesës së saj, duke i premtuar se do ta trajtojë këtë kërkesë.

“Më 19 mars 2021, i kam shkruar Presidentit Biden duke kërkuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për dhurimin e vaksinave në kohën kur Kosova ishte i vetmi shtet në Evropë që ende nuk kishte filluar administrimin e tyre. Më 19 Prill 2021 Presidenti Biden u përgjigj pozitivisht në të cilën ai u zotua për ta trajtuar kërkesën tonë rreth vaksinave”, shkroi ndër të tjera Osmani në Facebook.

Sot, ne jemi të lumtur të njoftojmë se Presidenti Biden, në emër të SHBA-ve, ka vendosur të dhurojë një numër të rëndësishëm të vaksinave COVID-19 për Republikën e Kosovës.

Osmani ka shprehur mirënjohjen e saj të thellë për presidentin Biden për këtë “gjest bujar”.

“Njoftimi zyrtar i sotëm është tjetër dëshmi e mbështetjes së palëkundur që vendi ynë e gëzon historikisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Presidenti Biden ka qenë gjithmonë mik i Kosovës dhe ky donacion ilustron kujdesin dhe konsideratën e pakursyer që ai vazhdon të tregojë ndaj popullit tonë”, ka shkruar tutje ajo./Gazeta Sinjali/