Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur sot para takimit që do të ketë me të dërguarin e posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe të dërguarin e posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Presidentja Osmani ka bërë të ditur se do të takohet me diplomatët në orën 16:00.
Ajo tha se propozimet për të cilat po përflitet, për autonomi të zgjeruar apo Asociacion të komunave serbe me kompetenca ekzekutive, nuk i janë prezantuar institucioneve të Kosovës.
“Unë do t’i takoj sot ata rreth orës 16:00. Megjithatë unë dua ta qartësoj qysh tani se propozimet për të cilat po përflitet për kinse autonomi të zgjeruar apo ndonjë lloj Asociacioni me kompetenca ekzekutive, asnjëherë nuk i janë prezantuar palës sonë, pra institucioneve të republikës së Kosovës”, ka deklaruar Osmani.
E pyetur rreth raportimeve se do të ketë propozime për një asociacion të një forme tjetër me atë që ka qenë deri më tani dhe një propozim për një lloj autonomie në pjesën veriore të Kosovës, Osmani tha se Escobar ka deklaruar se kërkesa e tij është që të mos implementohen modele që do ta shndërronin veriun e Kosovës në një “Republika Srpska”.
“Besoj që ju e keni dëgjuar edhe ambasadorin e ri të SHBA-së, edhe z.Escobar në intervistën e fundit, duke thënë që kërkesa e tij është e kundërta e asaj që e përmendët, që mos të implementohen modele që do ta shndërronin veriun e Kosovës në një “Republika Srpska” të re, pra që nuk kërkohen kompetenca ekzekutive, e as që nuk kërkohet një model që do të shndërronte këtë Asociacion në një nivel të ndërmjetëm apo të tretë të qeverisjes, që do të binte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”, deklaroi Osmani.
Presidentja Osmani tha se qëndrimet e Kosovës sa i përket çështjes së Asociacionit të komunave serbe mbesin të njëjtat./GazetaSinjali/