Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se me vendosjen e marrëdhënieve konsullore, Kosova dhe Polonia tashmë kanë hyrë në një kapitull të ri të bashkëpunimit.
“Ne e mirëpresim ngrohtësisht këtë vendim, i cili është një dëshmi e forcës së partneritetit tonë dhe e vizionit tonë të përbashkët për paqen dhe sigurinë evropiane”, shkruan Osmani në Twitter.
Ministria e Punëve të Jashtme njofton se më 8 nëntor Qeveria e Republikës së Polonisë ka lidhur marrëveshje me Qeverinë e Republikës së Kosovës në formë të shkëmbimit të notave për vendosjen e marrëdhënieve konsullore.
Marrëveshja zbaton Rezolutën nr. 184/2022 të Këshillit të Ministrave të datës 5 shtator 2022 për vendosjen e marrëdhënieve konsullore ndërmjet Republikës së Polonisë dhe Republikës së Kosovës.
“Duke e njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës me rezolutën e Këshillit të Ministrave të datës 26 shkurt 2008, Republika e Polonisë është përmbajtur nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike dhe konsullore në të njëjtën kohë. Marrëveshja e lidhur sot do t’u mundësojë qytetarëve polakë një nivel optimal të mbrojtjes konsullore në territorin e Republikës së Kosovës.
Polonia mbështet integrimin evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe jep kontributin e saj aktiv në sigurimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon, duke përfshirë përmes kontingjentit ushtarak polak si pjesë e KFOR-it dhe misionit policor të EULEX-it në Kosovë, në të cilin kanë qenë kontribues i madh për shumë vjet”, thuhet në njoftim.