Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën e Evropës ka thënë se është koha që Evropa të hapë dyert për Kosovën që, sipas saj, është shteti më pro-evropian në botë, raporton Gazeta Sinjali.
Osmani nuk ka harruar as sot ta përmend liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke thënë se besueshmëria e Bashkimit Evropian varet nga mbajtja e fjalës nga ana e këtij unioni.
“Tradicionalisht në këtë ditë, institucionet e BE-së i hapin dyert e tyre për publikun. Ka ardhur koha që ato t`i hapin dyert e tyre për Kosovën”.
“Besueshmëria e BE-së dhe e institucioneve të saj varet nga mbajtja e fjalës në lidhje me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Kosova, ndërkaq, duhet të bëjë përgatitjet e nevojshme për aplikim për status të shtetit kandidat në momentin e volitshëm”, ka shkruar ndër të tjera ajo në Facebook.
Osmani ka theksuar qëndrim konsistent të Kosovës në raport me perëndimin, duke thënë se vendi ynë nuk ka luajtur asnjë me dy karta.
“Ne të gjithë duam një Evropë të suksesshme, të përparuar dhe në të cilën sundon paqja! Ne kemi mbrojtur vlerat civilizuese evropiane edhe në mesjetë, duke përcaktuar një herë e përgjithmonë orientimin tonë strategjik. Ne nuk luajmë me dy karta, ndërmjet lindjes e perëndimit. Integrimi në strukturat euro-atlantike është përcaktimi ynë i përhershëm. Prandaj, le të punojmë me shtetet e tjera evropiane, sepse si një ndër popujt më të vjetër të kontinetit, BE-ja është shtëpi e jona!”/Gazeta Sinjali/