image Osmani kërkon trajtim të barabartë në dialog: Serbia vazhdimisht e ka shkelur Marrëveshjen e Ohrit

Politikë

Osmani kërkon trajtim të barabartë në dialog: Serbia vazhdimisht e ka shkelur Marrëveshjen e Ohrit

news image

Presidentja, Vjosa Osmani, ka këruar trajtim të barabartë të palvë në dialog, duke theksuar se Serbia vazhdimisht ka shkelur nenet e Marrëveshjes së Ohrit – e dakordur një vit më parë, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në mes të kryeministrit, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçqi.

Këto deklarime Osmani i ka bërë nga një konferencë e përbashkët me kryetarin e Lipjanit, Imri Ahmeti.

“Kërkoj që të ketë trajtim të barabartë të palëve, që plani sekuencues i zbatimit të ketë parasysh që si Kosova, si Serbia t’i zbatojnë në mënyrë paralele, të menjëhershme, obligimet e tyre, e jo që njëra palë t’i ketë të gjitha përfitimit në fillim, e më pas për Kosovën të mendohet krejt në fund sepse kjo krijon një situatë ku Serbia përfiton ndërsa Kosovës i thuhet prit edhe pak, jep edhe më shumë, kjo nuk është strategji që ka sjellë paqe, por e ka inkurajuar Serbinë që të shkojë edhe deri te më ekstremja, siç është 24 shtatori”, ka thënë Osmani.

Sipas presidentes, Serbia e ka shkelur këtë marrëveshje, duke mos i respektuar nenet e saj.

“Serbia e ka shkelur me dhjetëra herë këtë marrëveshje, e cila qartë i kërkon që mos ta shkelë integritetin territorial të Kosovës, që ta njeh subjektivitetin ndërkombëtar dhe parimin e barazisë së palëve, që mos të votojë kundër Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, që mos të përdoret dhunë në relacionet ndërshtetërore dhe shumë parime të tjera, ndër të tjera edhe nenet e fundit të asaj marrëveshje që kërkojnë të zbatohen të gjitha marrëveshjet paraprake dhe u siç e dini edhe nga vetë përmbledhja e BE-së, Serbia nuk i ka zbatuar as gjysmën e marrëveshjeve që janë nënshkruar në këtë 12-vjeçar të dialogut Kosovë-Serbi”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, ajo që është dashur të ndodhte në këtë periudhë dhe që nuk ka ndodhur është mungesa e një plani të zbatimit që ende po hartohet në Bruksel.

/GazetaSinjali/